“Meloni e vendosur”, La Repubblica: Të hënën anija me 70 emigrantë shkon në Shqipëri

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka rikonfirmuar qëndrimin e saj për të transferuar emigrantët në Shqipëri, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Romës për të bllokuar nisjen e këtij operacioni.

La Repubblica raporton se operacioni që do të zhvillohet të hënën përfaqëson “ngarkesën e parë ë plotë”, me “emigrantë nga vende të sigurta”.

Plani ka shkaktuar polemika të shumta në Itali për shkak të kostove të fryra, që përfshijnë akomodimin luksoz të personelit italian të vendosur në Shëngjin dhe Gjadër, duke rritur shpenzimet e operacionit.

Sidoqoftë, La Repubblica thekson se, pavarësisht kritikave dhe kostove, “qeveria e Giorgia Melonit nuk do të tërhiqet nga plani”.

Fillimi i operacioneve është shtyrë dy herë tashmë. La Repubblica nënvizon se kjo vonesë nuk vjen nga ndonjë ngurrim politik, por nga moti i pafavorshëm që i ka bërë transportet detare të pamundura.

“Të hënën moti duhet të lejojë fillimin e operacioneve, të cilat tashmë janë shtyrë dy herë. Dhe sigurisht jo për shkak të mosangazhimit politik apo referimit të dekretit të ri për vendet e sigurta në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, thekson La Repubblica, transmeton Euronews.al.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme italiane kanë bërë të ditur për La Repubblica se në Shqipëri janë marrë masat për të pritur deri në 70 emigrantë, një rritje e ndjeshme krahasuar me operacionin e parë, kur numri ishte më i vogël.

Emigrantët e mbërritur rishtas në Lampedusa kanë kaluar përzgjedhjen për t’u transferuar në Shqipëri, ku pritet të dërgohen 60-70 persona, një numër shumë më i lartë se përpjekja e parë me vetëm 16 vetë. Sipas La Repubblica, në fokus të këtij operacioni janë kryesisht emigrantë tunizianë, për të cilët janë vendosur marrëveshje riatdhesimi me autoritetet italiane.

“Ndërkohë, moti mbetet një faktor vendimtar, pasi deti i qetë është thelbësor për transportin e emigrantëve nga Lampedusa drejt Shqipërisë. Stuhitë e fundit kanë vështirësuar lundrimin dhe kanë sjellë vështirësi të mëdha për anijet civile që shpëtojnë emigrantët në ujërat ndërkombëtare. Megjithatë, duke parë parashikimet për mot më të mirë, autoritetet italiane shpresojnë të përfundojnë operacionin brenda ditëve të ardhshme”, shkruan La Repubblica

Kritikët e qeverisë italiane e cilësojnë këtë projekt si një “propagandë të pastër” nga ana e kryeministres Meloni, për të përforcuar politikën e saj të fortë ndaj emigrantëve. Gjithashtu, Gjykata Evropiane dhe Gjykata e Bolonjës janë duke shqyrtuar përputhshmërinë e dekretit të ri me rregullat e Bashkimit Evropian, çka mund të ndikojë në zbatimin e mëtejshëm të operacionit. Megjithatë, një burim nga Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se për momentin qeveria është e vendosur të vazhdojë operacionet pa asnjë shtyrje. /euronews.al/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button