Meksikë, rritet në 28 numri i viktimave nga shpërthimi i një kamioni

Të paktën 28 persona e kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një kamioni me cisternë që transportonte gaz të lëngshëm nafte (LPG) në kryeqytetin e Meksikës, Mexico City, njoftuan autoritetet të dielën, transmeton Anadolu.
Zyrtarët e qytetit konfirmuan vdekjen e një viktime 36-vjeçare e cila pësoi djegie të rënda pasi kamioni, i cili transportonte 49.500 litra LPG, shpërtheu në një rrugë kryesore në kryeqytet.
Aksidenti ndodhi më 10 shtator në urën “La Concordia”, një autostradë me trafik të dendur që lidh Mexico City-n me shtetet përreth. Sistemi shëndetësor publik i Meksikës tha se tre persona mbeten të shtruar në spital në gjendje kritike.
Kompanitë e përfshira “Grupo Tomza”, ofruesi i gazit dhe “Transportadora Silza”, operatori i kamionit ende nuk kanë ofruar ndonjë kompensim financiar për viktimat ose familjet e tyre.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore (Semarnat) dhe Agjencia për Sigurinë, Energjinë dhe Mjedisin (ASEA) raportuan se kompania e kamionëve nuk kishte mbulim sigurimi dhe nuk kishte polisën e kërkuar të përgjegjësisë mjedisore.
Grupo Tomza, e cila u gjobit në vitin 2022 së bashku me kompani të tjera për praktika monopoliste, vazhdon të ketë kontrata multimilionëshe peso me qeverinë meksikane. Por viktimat dhe familjet e tyre raportojnë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë me shpenzimet mjekësore.
Më 19 shtator, drejtoresha e përgjithshme e Shoqatës Meksikane të Institucioneve të Sigurimeve (AMIS), Norma Alicia Rosas tha se autoritetet janë përgjegjëse për përcaktimin e përgjegjësisë dhe se çdo rast do të trajtohet individualisht.
Megjithatë, shumë media dhe përdorues të mediave sociale kanë treguar gjendjen e keqe të rrugës si një faktor të mundshëm që kontribuon. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të qytetit pohon se shpërthimi ndodhi pasi kamioni u përplas me një barrierë betoni, duke shkaktuar shpërthimin.
Shoferi i kamionit vdiq më 16 shtator në një spital në Mexico City nga djegiet e rënda që pësoi në aksident.