Megjithatë, Nusreti është patriot përmbajtësor

Shkruan: Iljasa Salihu, Shkup

Nusreti gaboi kur ndaj xhamive dhe lajmëtarëve të Zotit, tregoi qasje të pamatur dhe të paditur. Madje, edhe nga shprehja e fytyrës dhe e zërit, shihej se nuk ishte në gjendje të mirë. Për arsye se vetë ai e di rolin dhe kontributin e xhamive në mbledhjen e parave për luftë, për shkollim, për strehim të të pastrehëve, tanimë edhe rolin e tyre në ruajtjen e kulturës dhe gjuhës sidomos në kurbet, kuptohet pas rolit kryesor që është adhurimi i Zotit, ngaqë jo pak herë ka qenë zemërgjerësisht i mirëpritur dhe i përkrahur nëpër xhamia të mërgimit.

Me Nusret Pllanën kohë më parë jemi takuar për kafe.

Është njeri familjar dhe i lidhur fuqishëm pas traditave tona të mira. Një kohë të gjatë e kam pasur mik në rrjetin social, madje e ka pas shpërndarë një shkrim timin ku unë kritikoj disa tradita të këqija nëpër dasmat tona. Nusreti ishte i burgosur, jo për vjedhje, por për patriotizëm përmbajtësor. Kishte qenë pjesë e luftës, madje zëri i tij kumbues sot e kësaj dite na miklon dhe trimëron zemrat. Mund të ketë lajthitur së fundmi, por ne nuk guxojmë t’ia nxjerrim fundin, sepse mirëfilli nuk i dimë rrethanat. Mund t’i jepte pak më tepër seç duhet rëndësi interesit material, një lëshim ky i shumë atyre që ishin në gjendje të vdisnin nëpër beteja, por në këtë pikë pastaj u treguan paksa të dobët. Mund ta ketë personale me ndonjë që thirret në fe, por që nuk i bëhet vonë për imazhin dhe sjelljet e tij të pamatura. Dorën në zemër, kemi edhe të tillë që po nuk u kapëm pas librit të shenjtë, pas dijetarëve parimor dhe pas besimtarëve shembullor, por pas fjalëve dhe sjelljeve të tyre, do ta braktisnim krejt fenë. Mund të mos e kupton në tërësi fenë së cilës i përket. Mund edhe të kritikohet për qëndrimet e tij të fundit, por assesi të fyhet, as të baltoset, as të njolloset, as t’i cenohet besimi i tij, ngaqë duhet ta dimë se njeriu ndonjëherë rrëmbehet keq dhe pastaj shkreton me fjalë të pahijshme. Megjithatë, kur ti gjykojmë njerëzit si Nusreti që kanë vuajtur nëpër burgje, kanë luftuar dhe pas lufte janë përballur me beteja të pamëshirshme, mund edhe t’i kuptohet ngutja dhe rrëmbimi ndonjëherë, sepse aspak nuk e kanë pasur jetën e lehtë dhe një Zot e di se çfarë peshe bartin mbi supe këta që aq shumë kanë punuar për lirinë dhe mirëqenien e vendit. Njëherë mua më pat ngushtuar me fjalë të rënda një njeri i kësaj natyre, më i moshuar se unë dhe kur e pash se ku vajti puna, i shkrova se edhe nëse më godet me shuplakë, unë ta fali, për arsye se vetëm kur t’i imagjinoj gjendjet nëpër të cilat ke kaluar, mua nuk më merre gjumi e lëre më t’i kisha përjetuar. Pas pak, pesha e ndërgjegjes i reagoi dhembshëm dhe më shprehu mirëkuptim dhe shoqërim të mëtutjeshëm. Mundësisht, të nderuar dashamirë të kombit e të fesë, mos e fusni Nusretin në një thes me Blushat, sepse këta të fundit gjithë jetën e kanë pasur përrallë me mbret dhe fyerjet që i bëjnë ndaj nesh i kanë mision ideologjik dhe ekonomik. Nusret Pllana është patriot përmbajtësor dhe njeri që botës i dëshmoi për krimet serbe. Këtë dhe shumë gjëra tjera mos i harroni kurrë dashamirë të së mirës!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button