Mediat online në Maqedoni janë shkelësit më të shpeshtë të rregullave për raportim të përgjegjshëm

Nga gjithsej 132 ankesa në Këshillin e Etikës në Media të Maqedonisë, 110 janë për media online, të cilat janë më të shumtat në vend, por edhe shkelësit më të shpeshtë të rregullave për raportim të përgjegjshëm.
Në prezantimin e sotëm të raportit vjetor të ankesave të pranuara për raportime joprofesionale nga media për vitin 2023, u bë e ditur se nga numri i përgjithshëm i ankesave të pranuara, janë marrë vendime dhe mendime për 61 në të cilat është shkelur Kodeksi Etik i Gazetarëve. Për 41 ankesa është marrë vendim se janë të pabaza, 5 ankesa janë zgjidhur me ndërmjetësim dhe për 20 ankesa nuk është iniciuar asnjë procedurë.
Kryetari i Komisionit për Ankesa në KEMM, Mirçe Adamçevski, tha se numri i ankesave të pranuara në vitin 2023 në krahasim me vitin paraprak është dyfishuar, përkatësisht në vitin 2022 janë pranuar 78 ankesa.
– Ankuesit më të shpeshtë në vitin 2023 janë qytetarët, kjo nuk na pëlqen neve si KEMM, ndaj Këshilli është një organ i dukshëm të cilit qytetarët mund t’i drejtohen dhe të bëjnë ankesa për sjellje joprofesionale të mediave. Pas qytetarëve vijnë organizatat joqeveritare, që do të thotë se edhe ata e bëjnë punën e tyre si kujdestarë të asaj që përfaqësojnë”, tha Adamçevski.
Qytetarët si ankuesit më të shpeshtë për raportim joprofesional të mediave në vitin 2023 kanë paraqitur 53 ankesa, më pas organizatat joqeveritare kanë paraqitur 35 ankesa, gazetarët kanë paraqitur 22 ankesa dhe pjesa tjetër janë paraqitur nga partitë politike, kompanitë private, bartës të funksioneve publike, përfaqësues ligjorë e të tjerë.
Tre nenet më të shkelura të kodit të gazetarëve në vitin 2023, sipas statistikës së KEMM, janë neni 1, neni 10 dhe neni 7, madje në 31 ankesa është shkelur neni 1, ku thuhet “Informacion i pasaktë dhe i pa verifikuar, mungesa e palës së dytë dhe mungesa e të paktën dy burimeve ”, më pas në 15 ankesa është marrë vendim për shkelje të nenit 10 ku thuhet “Gjuha e urrejtjes dhe nxitja e dhunës apo diskriminimit mbi çdo bazë”, si dhe në 8 ankesa është bërë shkelje e nenit 7, ku thuhet: “Gazetari duhet të respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo bie ndesh me interesin publik. Gazetari është i detyruar të respektojë dhimbjen dhe pikëllimin personal”.



