Media:ShBA-ja i kërkon Presidentit venezuelian të japë dorëheqjen në këmbim të një largimi të sigurt

Ndërsa administrata e Donald Trumpit po përgatitet për operacione të mundshme tokësore brenda Venezuelës, një telefonatë e fundit mes Shtëpisë së Bardhë dhe Karakasit i ka përcjellë Presidentit Nicolas Maduro një ultimatum të qartë, dorëheqje të menjëhershme në këmbim të një largimi të sigurt, sipas një raporti mediatik.
E përditshmja Miami Herald raportoi se gjatë telefonatës së javës së kaluar, Uashingtoni këmbënguli që Maduro dhe aleatët e tij kryesorë, përfshirë bashkëshorten e tij, Cilia Flores, dhe djalin, të largohen menjëherë nga vendi për t’i hapur rrugë sundimit demokratik.
Një burim i tha gazetës se Maduro kërkoi “amnisti globale për çdo krim që ai dhe grupi i tij kanë kryer, por kjo u refuzua”.
“E dyta, ata kërkuan të ruajnë kontrollin e forcave të armatosura, e ngjashme me atë që ndodhi në Nikaragua në ’91 me Violeta Chamorro. Në këmbim, ata do të lejonin zgjedhje të lira”, shtoi burimi.
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi të dielën se ka zhvilluar një telefonatë me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, por refuzoi të japë detaje për bisedën.
Konfirmimi erdhi mes tensioneve në rritje ndërmjet Uashingtonit dhe Karakasit, me Trumpin që së fundmi deklaroi se hapësira ajrore e Venezuelës do të jetë “plotësisht e mbyllur”. Venezuela e kritikoi deklaratën dhe kërkoi “respekt të pakushtëzuar” për hapësirën e saj ajrore.
Departamenti i Shtetit të ShBA-së ka njoftuar tashmë synimin për ta shpallur kartelin venezuelian Cartel de los Soles si Organizatë të Huaj Terroriste (FTO), që nga 24 nëntori 2025.
Sipas departamentit, karteli udhëhiqet nga “Nicolas Maduro dhe persona të tjerë të lartë të regjimit të paligjshëm të Maduros”.



