Medalja sioniste e kryeministrit Edi Rama

E sotmja e jonë, duke i përfshirë edhe reagimet e qëndrimet tona për krimet sioniste dhe për pranimin e medaljes nga kryeministri, është tregues i cili dëshmon se sa jemi larguar e i kemi flakur rrënjët dhe shtyllat e moralit të kombit tonë, të mbrujtur me shndritjen e dritës për drejtësi, besë, nder, sakrificë dhe dinjitet të karakterit shqiptar.
Shkruan: Arben LABËNISHTI, Strugë
Për Dashurinë, kurban ther fryma e Dritës, atje, në thellësinë e pambërritshme të zemrës, në pafundësi. Dhe, e paqmja Dashuri, tonit shpirtit, i vadit me përndritje dhuntitë intelektuale, ato fizike dhe ndërgjegjen, për t’i mbajtur të squara, vigjilente dhe aktive. Vetëm duke menduar dhe duke u angazhuar me aftësinë e arsyes, të përdorur në mënyrën e duhur, mund të përballemi me pyetjet më të thella dhe ta gjejmë e kuptojmë përgjigjen për të vërtetën dhe natyrën njerzore, për Krijuesin dhe të krijuarën, si dhe për synimet dhe sjelljen tonë në rrugën për realizimin e tyre.
E shkuara dhe e sotmja dëshmojnë për padrejtësitë që e kanë karakterizuar frymën e shumë veprave me ngjyra civile, veprave të ashtëquajturave “fetare” dhe atyre me “arsyetim shkencor”, të cilat u kanë sjell dhe vazhdojnë t’u sjellin popujve të caktuar dhe mbarë njerzimit prishje të harmonisë, dhimbje dhe vuajtje. E tillë është edhe ngrehina sioniste e quajtur “Shteti i Izraelit”, me fushatën ushtarake, politike dhe diplomatike, që për çdo ditë po shfaros familje të tëra palestineze dhe përpiqet ta realizojë shpërnguljen e popullit palestinez nga toka e Palestinës.
Mohimi i së vërtetës, shmangja nga mesazhi autentik, padrejtësia dhe çdo angazhim për të realizuar vepra të kësaj natyre ose për t’i mbështetur ato, përbën krim, është mëkat që një ditë do t’i vijë fundi dhe do të ndëshkohet.
“Bota nuk është e rrezikuar nga njerëzit e këqij, por nga ata që e lejojnë të keqen”, ndërsa “Paqja nuk mund të mbahet me forcë; ajo mund të arrihet vetëm duke kuptuar”, ka thënë Albert Einstein-i. Ndërkaq Sami Frashëri ynë thotë: “Faji më i madh në botë është t’ia mbash anën atij që nuk ka të drejtë dhe të jesh armiku i të drejtit”. Janë këto thënie me përmbajtje, madje më të qëlluara për problemin për të cilin po shkruajmë. Të tilla gjen gjithandej në literaturën laike, ndërsa në atë fetare ato janë më domethënëse dhe kuptimplota. E përzgjodha Einstein-in, sepse ai ishte me përkatësi kombëtare hebreje, në mesin e të cilëve spikatin “njerëz të këqij”, ashtu siç është në ditët e sotme edhe kryeministri i Izraelit, Natanjahu, me bashkëmendimtarët dhe mbështetësit e tij, e keqja e të cilëve po lejohet të mbijë dhe rritet si krim i shfarosjes në masë të civilëve palestinez me forcën e armëve. (Sigurisht, edhe popuj të tjerë kanë nxjerrë dhe vazhdojnë të kenë “njerëz të këqij” dhe “nga ata që e lejojnë të keqen”). Ndërkaq, Samiun tonë e përzgjodha, sepse edhe populli shqiptar ka pasur dhe vazhdon të ketë drejtues dhe të tjerë personalitete, të cilët ia mbajnë “anën atij që nuk ka të drejtë” dhe janë bërë “armiku i të drejtit”, siç është sot kryeministri Edi Rama, që mban “të gravuar” në ndërgjegjen që rrjedh nga “zemra e verbuar” medaljen presidenciale sioniste “për miqësinë e pathyeshme me popullin hebre dhe me shtetin e Izraelit”.
Vepër vrastare
Periudha e Profetit Muhammed shënon respektimin e hebrejve dhe të tjerëve nga myslimanët sipas mesazhit të Kur’anit, që e karakterizon harmonia shembullore, për të vazhduar më pas në kohë dhe për ta ardhur në periudhën e Perandorisë Osmane, e cila njeh vendosjen në territoret që i administronte ajo të shumë hebrenjve të zbuar si të padëshiruar nga vende të tjera perëndimore, pasi nuk kishin gjetur strehë komoditeti në ato vende. Këtë model trajtimi nuk e njeh historia e të jetuarit të tyre në vendet europiane deri në fund të Luftës së Dytë Botërore – e cila është e njohur për përndjekjen naziste të tyre, pas së cilës fillon periudha e riforcimit ekonomik dhe ndikimit financiar dhe politik të sionistëve në pushtetet e shumë shteteve, e cila është e dukshme edhe në ditët e sotme.
Ishte viti 1897 kur me “Der Judenstaan” të Theodor Herzl u ndez shkëndija e një fantazme hebreje “sioniste” moderne, e cila para rreth 100 vjetësh me hebrenjtë që ndodheshin në perëndim filloj të iki për t’u shtrirë në tokat e Palestinës ku me dhunë dhe terror u formësua si “Shteti i Izraelit”. Nga krijimi i kësaj vepre, sionistët me veprime sistematike kanë sjellë terror shtetëror, i cili ka shënuar rritje të vazhdueshme, për të ardhur në periudhën e dy viteve të fundit me tërbim të paparë, i cili akoma s’po ngopet me gjakun e pafajshëm palestinez, për realizimin e projektit të tyre.
Analisti hebreo-amerikan Jeffrey Sachs mendon se: “Të gjithë duan, paqe përveç Izraelit. Izraeli dëshiron kontroll. Izraeli u ka dhënë gishtin dhe ka thënë: jo, sepse ne do të mbajmë të gjithë territorin. Tani kjo është vëtëvrasje në këndvështrimin tim për Izraelin dhe është e paligjshme dhe krejtësisht mizore. Pra, një sulm vjen më 7 tetor. A doli nga blu kjo? Jo. Sulmi i 7 tetorit erdhi pas më shumë se 50 vjet pushtim brutal nga Izraeli dhe refuzimi i plotë i një shteti të Palestinës. Unë dua që ata të ndalojnë, sepse e di. Unë flas me iranianët, flas me të gjithë Organizatën për Bashkëpunim Islamik, 57 shtete. Unë ndoshta njoh gjysmën e ministrave të jashtëm. Të gjithë duan paqe, përveç Izraelit. Izraeli dëshiron kontroll.” (cituar sipas “Ora Islame”)
Janë fëmijët e vrarë, pleqët, gratë, civilët e tjerë dhe vendbanimet e shtruara për toke që dëshmojnë se fushata ushtarake në Palestinë filloi dhe vazhdon me egërsinë e çmendurisë “Mos lë asnjë shpirt gjallë dhe detyroi ata që s’ke arritur t’i vrasish të shpërngulen nga tokat e veta!”. Kjo është rruga të cilën e ndjekin sionistët për ta pushtuar dhe mbajtur në kontroll territorin e Palestinës. Dhe, për këtë vepër “spastrimi etnik”, në funksion të realizimit të qëllimeve të tyre i kanë bër për vete shumë shtete që t’i mbështesin me veprim publik ose në heshtje. Ndërsa për të tjerët, për ata që përpiqen për ta kundërshtuar – që janë shumë pak – atyre pothuajse nuk u intereson. Ata ecin me mënyrën e tyre për arritjen e qëllimit që i kanë vënë vetes.
Gjithë kjo ndodh para syve të popujve (shteteve) arabë, para myslimanëve të të gjithë botës dhe perëndimorëve që e mbajnë veten për “të civilizuar”, të cilët janë “ata që e lejojnë të keqen” dhe kontribues të saj. Bota është e rrezikuar nga njerëzit e këqij dhe ata që e mbështesin dhe e lejojnë të keqen.
Pafisnikëri ose “zero moral”
Sionistët, me peshën që kanë në kapitalin dhe sistemin financiar në nivel botëror, si dhe me njerëzit e tyre në strukturat e pushteteve të disa shteteve të fuqishme, kanë arritur që të kenë ndikim të fuqishëm në qeveritë e shumë shteteve dhe te personalitete të caktuara, të cilët i kanë orientuar në krijimin e politikave dhe opinioneve në interes të tyre.
Në këtë “orbitë” të ndikimit dhe mbështetjes sillet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. E kësaj fryme dhe interesi është edhe dekorimi i tij me “Medaljen Presidenciale të Nderit” nga presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i cili në ceremoninë e dorëzimit të saj u shpreh: “Jam krenar t’ju dhuroj Medaljen Presidenciale të Nderit – dekorata më e lartë civile në Izrael. Kjo medalje u jepet individëve që ndriçojnë botën me lidership të jashtëzakonshëm, qartësi morale, vlera demokratike dhe për miqësinë e pathyeshme me popullin hebre dhe me shtetin e Izraelit. Kur erdhi koha për t’i kthyer fjalët në vepra, ju i bëtë ballë kësaj sfide me guxim. Në orën tonë më të errët, pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit ndaj Izraelit – sulmi më i kobshëm ndaj popullit hebre që nga Holokausti – ju refuzuat t’i dorëzoheshit presionit ndërkombëtar. Ju i qëndruat busullës suaj morale dhe shprehët miqësinë e thellë dhe mbështetjen jetike për Izraelin”. Ndërsa Edi Rama, në fjalën e tij të pranimit të kësaj medalje, tha: “…ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar e, mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa në fillim të saj”.
Ky akt bie në kundërshtim me moralin dhe etikën e kulturës kombëtare shqiptare të ngjizur shekuj më parë, te i cili janë mishëruar virtytet e fisnikërisë dhe dinjitetit, që e ruajnë karakterin dhe personalitetin shqiptar të individit dhe mbarë popullit.
Pasi kryeministri e pranon dhe e quan “nder i jashtëzakonshëm” të dekorohet me një medalje me dedikim dhe të dhuruar nga Presidenti i një shteti që e karakterizon terrori shtetëror, që shkon deri në apartheid dhe gjenocid ndaj popullit të pafajshëm, civilëve, fëmijëve, grave dhe pleqve palestinez, është e kuptueshme që është i zhveshur nga morali kombëtar shqiptar. Pranimin e saj në emër të popullit shqiptar, madje në emër të atyre shqiptarëve që sakrifikuan për t’i mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, është i padrejtë, i pasaktë dhe përdorim i ulët, jo vetëm sepse ajo i jepet individit kryeministër Rama, por sepse ata nuk kanë asnjë pikëpjekje me sionizmin, veprat e të cilëve bien në kundërshtim me virtytet e moralit që i motivoi këta shqiptarë për t’i shpëtuar nga nazistët hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri përpara fillimit të luftës dhe atyre që gjatë asaj vinin aty, sepse aty gjenin rrugën e shpëtimit.
Presidenti i Izraelit, me medaljen, dhe kryeministri i Shqipërisë, që e pranoi atë, tentuan “ta verbojnë zemrën” dhe “ta vrasin zërin” e shqiptarëve për të vërtetën dhe të drejtën, për krimin e Izraelit ndaj palestinezëve. Kjo u intereson sionistëve që përfitojnë nga mbështetja e kryeministrit Rama, mund t’i interesojë edhe vetë atij dhe mbështetësve që e ndjekin atë, por jo atyre shqiptarëve që e vunë në rrezik jetën e tyre dhe të familjeve të tyre për t’i shpëtuar hebrenjtë, as pasardhësve të tyre dhe as popullit shqiptar, në emër të të cilëve kryeministri pretendoi se e pranoi atë medalje.
Moral i tradhtuar
Vepra shqiptare e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ishte për arsye të përkatësisë kombëtare të hebrenjve, as për përkatësinë fetare judaiste të tyre, por ishte e frymëzuar dhe në pajtueshmëri me kulturën e shqiptarëve për të jetuar me nder dhe dinjitet, të cilën e mbështesnin në themele të forta të drejtësisë, të së vërtetës, të besnikërisë, të trimërisë, të mosshkeljes, por ndihmës së të dobëtit, të rrezikuarit dhe të voglit. Për këto virtyte kanë sakrifikuar deri në vetëflijim, sepse kështu e ruanin nderin personal, të familjes, të kombit dhe të besimit te Zoti. Kjo ka qenë kultura me të cilën e kanë ndërtuar dhe ruajtur motivin e jetës së tyre. Ata që e dekoruan dhe vetë Edi Rama nuk plotësojnë asnjë nga këto virtyte që e bëjnë dhe e ruajnë një shoqëri dhe popull të shëndetshëm.
Qeveritarët e sotëm dhe shumë personalitete të tjera shqiptare nuk janë pasardhësit e atyre që i mbrojtën hebrenjtë, por kryesisht janë pasardhësit e komunistëve që pasi e kishin marrë pushtetin, i persekutuan këta mbrojtës shqiptarë.
T’i mbështesësh ose të heshtësh për krimet që po i realizojnë në ditët e sotme fëmijët dhe nipërit e atyre hebrenjve që shqiptarët i shpëtuan dhe atyre që u përndoqën nga nazistët gjithandej gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke pranuar edhe një medalje, është shprehje se e vërteta, drejtësia dhe liria në Shqipëri janë të tkurrura në interes së individit dhe klanit të të keqes, për ruajtjen e pushtetit politik dhe atij financiar, të ardhur nga vepra korruptive të natyrave të ndryshme, që ecin në rrugën edhe të interesave të huaja. Ky, si fenomen, e ka dëmtuar dhe nuk lejon ndërtimin e modelit të politikanit, intelektualit dhe biznesmenit të moralshëm dhe të përgjegjshëm, i cili e prek edhe cenon edhe individin dhe familjen si moral, si karakter ndërtues dhe funksional të shoqërisë, e dëmton mbarë kombin.
E sotmja e jonë, duke i përfshirë edhe reagimet e qëndrimet tona për krimet sioniste dhe për pranimin e medaljes nga kryeministri, është tregues i cili dëshmon se sa jemi larguar e i kemi flakur rrënjët dhe shtyllat e moralit të kombit tonë të mbrujtur me shndritjen e dritës për drejtësi, besë, nder, sakrificë dhe dinjitet të karakterit shqiptar.
E kotë është të krenohemi me virtytet dhe lavditë e së shkuarës, sepse kur nuk ecim frymës së tyre dhe nuk i ruajmë të mishëruara në karakterin tonë të sotëm, ato nuk kanë rëndësi, mbeten vetëm si relikte të ruajtura të shkruara a kujtuara diku si norma morale të shqiptarëve të dikurshëm. Mbeten vetëm histori e shqiptarëve të mirë. Në kohën e ditëve tona, është e dukshme se me tradhtinë e këtij morali ecim udhës së gabuar dhe çdo ditë e më shumë rritet masa e atyre që bëhen të këqij.
Fatkeqësisht, Shqipëria ngel një vend i gjorë, i drejtuar nga trashëgimtarët dhe nostalgjikët e komunizmit me ndërgjegje ku është rrënjosur mentaliteti i asaj ideologjie të pasuruar me atë të modernizmit për të drejtën, të vërtetën, lirinë, pushtetin… Ky mentalitet e karakterizon në masë të madhe edhe atë që e quajmë “elitë intelektuale” të angazhuar brenda institucioneve akademike dhe jashtë tyre. Janë shumë të rrallë ata që kanë zë të moralshëm me përgjegjësinë për lirinë e vërtetë dhe të dinjitetshmen. Fatkeqësisht, udhëtimi në këto “ujëra” të kontaminuar e ka zhveshur edhe popullin në masë të madhe nga morali, e ka varfëruar në parimet etike të domosdoshme për mbarëvajtjen e dinjitetshme dhe mirëqenien e tij. Me këtë mentalitet të pazotësisë dhe pandershmërisë së atyre që i quajmë elita dhe të shoqërisë shqiptare si tërësi, po ecim drejt falimentimit të gjithanshëm, ndalja dhe riparimi i të cilit për çdo ditë po bëhet edhe më i vështirë.
Pjesa thelbësore e rrënjëve të së keqes shqiptare janë ruajtur dhe shëndoshur pasi nuk u përballëm me seriozitet e ndershmëri, sinqeritet dhe vendosmëri parimore me krimet e së kaluarës së diktaturës komuniste dhe trashëgiminë asfiksuese të saj, me dekomunistizimin. Një popull që nuk ka arritur ta çmontojë nga sistemi i pushteteve të shtetit strukturën e ish sigurimit të shtetit dhe të krimit komunist, ngel ulok dhe është i destinuar të vuajë.
Ata shqiptarë, që ruajnë potencial mirësie në zemrat dhe mendjen e tyre, u ka ngelur shumë pak kohë që ta gjejnë motivin që për interesin e mirëqenies kombëtare nga e cila buron edhe ajo familjare dhe personale, të përballen me sinqeritet dhe mençuri me të keqen që i sundon.