Mbyllet autostrada Shkup-Tetovë, shkak zjarri masiv

Një zjarr i madh që ka përfshirë zona të gjera në Komunën e Zhelinës, ka bllokuar qarkullimin në autostradën ndërmjet Shkupit dhe Tetovës, njoftoi Qendra për Menaxhimin me Kriza.
“Autostrada Shkup–Tetovë është e mbyllur në të dy drejtimet, për shkak të zjarrit në komunën Zhelinë që po lëviz në drejtim të Erebinit të Tetovës”, raportoi Qendra.
Qendra njoftoi se në terren janë përfshirë edhe 30 pjesëtarë të Armatës.
“Ekziston dyshim i bazuar se zjarri është shkaktuar nga faktor njerëzor dhe i qëllimshëm”, deklarojnë nga Qendra, drejtori i së cilës, Muamed Aliu, është në teren me kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Ky i fundit gjithashtu deklaroi se zjarri është i qëllimshëm, pasi janë gjetur goma në vendin e ngjarjes.