Mbrojtja e Prespës, prioritet: Hoxha falënderon BE-në për mbështetjen

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, zhvilloi një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në vend, Michalis Rokas, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit për mbrojtjen e rajonit të Prespës.
Gjatë takimit, Hoxha nënvizoi rëndësinë strategjike të kësaj zone natyrore dhe angazhimin institucional për ruajtjen e saj.
“Me ambasadorin e BE-së konfirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Prespës, si një nga pasuritë natyrore më të vlefshme dhe një ekosistem unik”, deklaroi ai.
Ministri gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian në realizimin e projekteve konkrete në këtë rajon.
“Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe programin ‘BE për Prespën’, përmes të cilit po realizojmë projekte konkrete për mbrojtjen e biodiversitetit dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët”, theksoi Hoxha.



