Mbledhës të hershëm folklori

Është interesant fakti që sovjetikët, të cilët prodhuan një film “realist” për heroin, ishin të interesuar edhe për përmasën legjendare të tij. Ky interesim mbase rezultoi nga kohëzgjatja në negociatat e ngjizjes së projektit, ku ekipi i gjerë i konsulentëve shqiptarë, përveç kuadratimit të kontekstit historik problematik me Venedik, turq dhe papë, prezantoi sovjetikët gjithashtu me përmasën legjendare të Skënderbeut.

Elton HATIBI, Tiranë

Në filmin që i ka qëndruar më besnik tekstit biblik, nga filmat e shumtë kristologjikë, titulluar pikërisht “Il Vangelo secondo Mateo”, ndodh një anomali që duket se është aksidentale. Në skenën post-kryqëzim, në momentin kur dishepujt po e zbresin nga kryqi trupin e Krishtit, në sfond, në fshatin përbri, në një fragment sekondi duket në kthesë një automjet. Kur iu vu në dukje se kamera filmoi dhe autobusin, thuhet se Pasolini u shpreh: “  fund të fundit, kam bërë një film mbi modernitetin, kështu që, autobusi në sfond, nuk është se prish punë”. Një nga veçoritë e filmave të Pasolonit, dhe këtu nuk bën përjashtim as “Il Vangelo…”, është se ai i përzgjidhte aktorët në mënyrë rastësore, njerëz krejt të thjeshtë. Edhe për rolin e Jezu Krishtit ai përzgjodhi një mësues spanjoll, që nuk kishte luajtur më përpara ndonjë film, atipik për nga tiparet fizionomike me imazhet e mirënjohura ikonografike të figurës qendrore të Krishterimit. Parë kështu, filmi i tij krijon dy paradigma kontroverse, gati të pamundura të qëndrojnë bashkë në ndërtimin e një projekti të tillë: duke u bazuar maksimalisht në traditë, në përzgjedhjen ekskluzive të tekstit biblik si skenar dhe, njëkohësisht, duke thyer rregullin e një kanoni tjetër, shmangien e traditës që ka të bëjë me imazhin në ndërtimin e një projekti filmik mbi traditën.

Në qytetin e Beratit, ekipit të përbashkët shqiptaro-sovjetik, që kishte si detyrë realizimin e një filmi për Skënderbeun, iu propozua që rolin e heroit ta luante një mësues aty, që sipas gjasave i ngjante Skënderbeut. Sipas dëshmisë, pika e tij e fortë ishte hunda, e njëjtë me atë të heroit, dhe me atë të sqepit të shqiponjës. Këtë episod e sjell nipi i historianit Aleks Buda, që ishte pjesë e ekipit shqiptar që i shoqëroi artistët sovjetikë në qytetet kryesore të vendit në pranverën e vitit 1949. U vizituan qytete si Kruja, Berati, Lezha etj., me vendngjarje që risillnin në vëmendje episode të mundshme historike apo anekdotike në ndihmë të skenarit të filmit. Përtej rrethanave që motivuan propozuesin beratas të sugjeronte mishërimin artistik sa më autentik, në përputhje me imazhet e njohura, por dhe me përkimet simbolike të heroit, një përmasë tjetër tërheq vëmendje. Në fondin arkivor “Buda” ndodhen shkrime dhe kujtime të profesorit, ku ai përmend se:“…skenaristi rus interesohej sidomos për legjendat që lidheshin me heroin shqiptar, forcën e tij të madhe, kalin që kapërcente malet, shpatën që thyente shkëmbinjtë e nuk mund ta ngrinin dot dy burra etj”. Siç duket, autorëve të filmit u interesonte çdo informatë dhe detaj që lidhej me figurën e Skënderbeut. Këtij interesimi i shtohej edhe e dhëna tjetër, se në të gjitha takimet me shqiptarët e rangjeve të ndryshme, autorëve unanimisht iu kërkua që figura e Skënderbeut në film të paraqitej në përmasa legjendare, gati si një figurë mitologjike. Këto janë ato që na risjell, nga kujtimet e profesorit, nipi i tij, Marin Haxhimihali.

Është interesant fakti që sovjetikët, të cilët prodhuan një film “realist” për heroin, ishin të interesuar edhe për përmasën legjendare të tij. Ky interesim mbase rezultoi nga kohëzgjatja në negociatat e ngjizjes së projektit, ku ekipi i gjerë i konsulentëve shqiptarë, përveç kuadratimit të kontekstit historik problematik me Venedik, turq dhe papë, prezantoi sovjetikët gjithashtu me përmasën legjendare të Skënderbeut. Sapo kishte nisur mbledhja e këtij materiali nga ekspedita dhe bashkëpunëtorë të shumtë anembanë vendit dhe ishte e kuptueshme që edhe këto legjenda do të shoqëronin diskutimet e projektit. Këto legjenda dhe gojëdhëna, shumë prej tyre të regjistruara deri në mesin e viteve ’60-të, u publikuan më pas me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me titull “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun”. Një ndër etnografët e apasionuar, që iu përkushtuan mbledhjes së legjendave për Skënderbeun është dhe Dhosi Liperi dhe disa prej materialeve të tij gjenden të përfshira në “Tregime…”. Në një prej rrëfimeve të mbledhura dhe të botuara pas vdekjes së tij nga familjarët si tekst me titullin “Mitologji Skënderiane”, etnografi na sjell një rrëfim që nis si legjendë dhe zhvillohet si dëshmi, për të përfunduar sërish në legjendë. Nga Zyb Halili, tekstualisht, në Cëdhen, më 22 tetor 1963: “E tregon puna se Cëdheni ka pas qenë lidh me Skandërbegun, se Skandërbegu në maj të Lterit kishte vu nji kumonë të madhe e një njeri q’i bite e lajmërote popullin m’u mledh. Kumona u nigjojte deri në Mafsheq e Shkretë e Fravesh e u mblidhshin katunet te Kisha e Cëdhenit, ketu afër. Kisha sot (kupton gërmadhat e saj), e ka tyrben kah le dilli. Populli u mblidhte ma fort në Fushë të Tallajbesë të Krujës. Cëdheni e të gjitha katunet kan qën lidh me besë me Skandërbegun e kan luftu në Zidoll të Krujës, por asnjani s’ka lan’ emën prej tyne mas vdekjes së Skandërbegut, prej frike të turqve. Xhepa ka qenë fis i parë në Cëdhen, por nuk dimë se a ka qenë në kohë të Skanderbegut.

Këtu në Cëdhen u mur dhe filmi i Skandërbegut. Në filmin e Skandërbegut mora pjes dhe un me disa shokë. Bëmë talim, mushëm ujë në Uj të Bogdanit e ja çuëm asqerit; bam luftë. Unë isha i armatosë me shpatë. Një shoqi im, Beg Iseni – tash ka vdekë – mante kalin e Skandërbegut.

Skandërbegu në Qafë të Skandërbegut mante ushtrinë për verë për pushim. Kjo qafë asht përmi katunin e Shkretës e ka nji krue q’i thonë Kroj Skandërbeg, burim më vehte. Aty afër asht dhe Qafa e Bejlegut, po se ç’Bejleg ka qënë ky nuk e dimë. Në kohën e Turkies, Qafën e Skandërbegut e Qafën e Bejlegut i kishin të vetat e i sunojshin Kruja e kullotshin gjan’ e gjall.”

Me një këmbë duke rendur në mjegullën e legjendës dhe njërën dorë që mban kapistallin e kalit të historiografisë, ky personazh kaq autentik na fton drejtpërdrejt në modernitet. Tërheq vëmendjen folja “u mur”, për të shënuar xhirimet e episodeve të filmit. Krijohet përshtypja që “koha e Skënderbeut”, thjesht e riprodhuar në fushëbetejë, “merret” dhe futet në instrumentet e filmbërjes, për t’u sjellë si magji në “bezen e ondrrave”. Gjatë kohës që “asqerët” mbushnin dhe pinin ujë, bënin “talim” dhe luftë me shpata, përfytyrohet që atmosfera në shesh-xhirim duhet të ketë qenë më së paku në përmasa epike. Pjesa tjetër e rrëfimit është një koleksion toponimesh të disa katundeve dhe vendeve në Krujë, gjysma e tyre në gjuhën turke.

Etnografi Liperi na sjell edhe dëshminë tjetër interesante që përkon me një episod emblematik të filmit. Fatkeqësisht për korpusin legjendar të mbetur në memorien popullore për bëmat e heroit, rrëfenja është mbledhur një vit pas transmetimit të filmit “Skënderbeu”. Sipas Liperit: “Kam dëgjuar në Dibër se Skënderbeu na paska bërë dikurë një mundje shoqërore me një bari mali, dhe, si për çudi na paska dalë fitonjës bariu. Ky e mundi Fatosin. Po kallzonjësi, që ma tregoi ndodhinë, tundi kokën e më dha të kuptoj se Fatosi e lëshoi vehten e u shtir i pafuqishëm apostafat, që të delte mundës bariu, në sy të gjith’ atyre njerëzve të pranishëm. (Më ka thënë një dibran më 1954, Ramiz Peti). Çuditërish në film nuk duket se Skënderbeu e lëshoi kastile garën në favor të bariut. Përkundrazi, ai brof në këmbë i nervozuar nga humbja e sfidës. Ndoshta dibrani i është referuar ndonjë episodi tjetër nga historia gjysmë e fashitur nga koha për heroin, i pandikuar nga ajo që paraqet filmi.

Lajmi për projektin e një filmi për Skënderbeun, vizitat në qytetet historike të ekipit filmik dhe takimi me banorë të ndryshëm të këtyre lokaliteteve duhet të ketë elektrizuar opinionin publik shqiptar. Një film për heroin kombëtar të shqiptarëve, për të cilin ishte investuar në publik prej gati gjysmë shekulli, një kurorëzim vigan i gjithë këtij akumulimi. Pas gati katër vitesh nga ideja e tij deri në realizim, kur filmi u shfaq më në fund në 28 nëntor 1953, ai u shndërrua në filmin më të ndjekur të kohës në kinematë e vendit. Në Berat, aty ku ishte degdisur për çështje politike zëvendësregjizori i “Skënderbeu”, Viktor Stratobërdha, një djalë i vogël do të kthehej në një fenomen interesant, saqë një ditë regjisori, i magjepsur prej tij, do ta ftonte të performonte në sallën e “Shtëpisë së Kulturës”. Pasi kishte parë për ditë me radhë disa dhjetëra herë filmin në kinema, djaloshi i quajtur Skënder Mustafai, i veshur me kostum popullor të trevave të veriut, riprodhoi për dy orë e njëzet minuta të gjithë skenarin e filmit, çdo intonacion të aktorëve, çdo tingull, brohorimë, hingëllimë, efekt zanor etj., pra ishte shndërruar në “djalin-film”.

Kjo trevë e jugut të Shqipërisë i kishte munguar sakaq hartës historike të heroit tonë. I vetmi episod ku Berati shënohet në rrëfimet për Skënderbeun është kur ai pëson disfatën e thellë kundrejt trupave osmane që çanë rrethimin e qytetit. Gjithçka që gjendej lirisht në Krujë dhe krahinat përreth, mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut, tashmë mund ta gjeje lirish në rrugët e qytetit kontrovers. Djaloshi jetim, tashmë me famën e një “bardi” lëvizës, riprodhonte kudo në qytet pjesë të filmit për qytetarët që i dhuronin disa monedha. Shpesh kjo performancë zhvillohej edhe sipas kërkesave të “klientëve”, për aksh episod apo aksh batutë të filmit. Kjo dhunti dhe ky popullaritet i sollën dhe një përfitim fatlum djalit të vogël. Sipas Ylli Polovinës, që na e sjell me detaje historinë e tij, djaloshi u adoptua nga familja e madhe në numër e Zylyftar Veleshnjës, që kishte ndërkaq dhjetë fëmijë, pikërisht pas një performance artistike të tillë, me rastin e festës të çlirimit antifashist të Skraparit.

Në eksperiencën e tij të gjatë si mbledhës i legjendave për Skënderbeun, filluar që në vitin e largët 1929 dhe deri në mesin e viteve ’60-të, Dhosi Liperi, si studiues, na rrëfen disa përshtypje dhe sjellje të bashkëbiseduesve të tij. Atij i bën përshtypje se fiset e atyre që informantët e tij i cilësojnë si tradhtarë të Skënderbeut, urrehen edhe sot e kësaj dite. Përmenden shtëpi, fise, lagje apo dhe fshatra. Diku nuk është pritur siç duhet, diku dikush nuk i ka dhënë ujë për të pirë e diku tjetër nuk është ndihmuar në luftën e tij. Pothuajse të gjitha këto lokalitete apo fise, sipas Liperit, janë nëmur nga Skënderbeu. Në rastin e rrëfimit të legjendës, ku Skënderbeu pret me shpatën e tij shkëmbin a gurin, informanti i etnografit, për ta përforcuar rrëfimin e tij, shprehet: “Mos me qanë kshtu un pushkatohem”, gjë që e impresionon shumë Liperin. Diku tjetër një plak i vjetër, sërish për të përforcuar rrëfimin, i përmend studiuesit moshën e thyer, pra njohjen e faktit prej të vjetërve, dhe për të përmbyllur dyshimin e supozuar, ngrihet dhe merr në dollap letërnjoftimin. Është 90 vjeç, aq sa thotë dokumenti. Duken situata absurde, por të mirëkuptuara kur shkenca përballet me realitetin faktik në terren. Njerëzit vijnë me formime kulturore dhe të shkuara të ndryshme. Diku mëritë ose ndjesitë emocionale ndikojnë në bashkëbisedim, por nuk duhet ta harrojmë edhe rrethanën ligjore dhe politike të kohës. Në vitet ’50-të kur shumë prej legjendave u mblodhën në terren, në zonat historike ku kishte vepruar Skënderbeu dhe prej ku më së shumti mund të vileshin legjendat dhe këngët folklorike, ende vepronin grupe ilegale antiregjim ose, siç njiheshin në gjuhën e kohës, “të arratisur”.

Në një rast emblematik pikërisht bashkohet autoriteti i sigurisë dhe siguruesi i legjendës. Liperi rrëfen se në vitin 1960-të u informua për dy legjenda mbi simbolikën e brirëve të dhisë në helmetën e Skënderbeut pikërisht nga një oficer i Sigurimit të Shtetit. “M’i tha shoku Faslli Sinica prej Devolli, i cili më 1945 e 1946 ka qënë komandant i batalionit të ndjekjes dhe, duke rënë katundeve, njërën lëgjendë e ka dëgjuar në katundin Laç të Krujës e tjetrën në një katund të Lexhjes (Lezhës)”. Mund të arrijmë të përfytyrojmë komandantin kurioz, i cili duke gjurmuar “armiqtë”, ngjashëm si Skënderbeu i dikurshëm (fundja, a nuk ishin subjektet e punës së tij, “vegla të okupatorit”, pasardhës në radhë të bashkëpunëtorëve të turqve, italianëve, gjermanëve, etj?!), ulej këmbëkryq me pleqtë e fshatrave të Krujës, Kurbinit e të Lezhës dhe i nxiste të rrëfenin histori të vjetra, kryesisht në lidhje me Skënderbeun. Një version të ngjashëm të njërës prej tyre, të “transmetuar” nga oficeri, po e sjellim të rrëfyer nga një tjetër person. Sipas Liperit: “Më 9 shtator 1954 Nue Xhon Markaleka më foli tekstualisht : “Skandërbegu dikur ishte rrethue prej turqve, por mujti e pshtoi. Muer nji dhi të madhe, ku kullotshin gjaja n’at bjeshkë të rrethueme e preu, ja hoç lëkurën asaj dhie edhe e veshi vetë lëkurën e në krii të vet dukeshin brinat e dhisë. E tu’ ecë barkas si dhi në mes të xhasë, duel nga rrethimi e turqit nuk e kuptun. Të dalmen Skandri mblodhi ushtrinë e i bani fet, i maroi turçit. Çish matëhere Skandërbegu brinat e dhisë i vu në kunorën e vet, siç e shofim në resme soët”. Frekuenca e rrëfimit me dhi të sakrifikuara, dhe të bishnimit të tipit Odise, është shpjegimi më racional ndaj imazhit të popullarizuar të heroit, larg komplikimeve me Aleksandër të Madh të këmbyer në Iskander, që në fakt është Dhulkarneini kuranor.

Pikërisht ndaj versioneve të islamizuara të legjendave të Skënderbeut, të cilat përbëjnë dhe pjesën dërrmuese të tekstit të “Mitologji Skënderiane”, në rastin e një rrëfyesi, të cilin Liperi e admiron pa masë, ai ka një shënim interesant: “E quajnë Jahja Llani dhe është nga Vajkali i Bulqizës…Ngjarjet e mëdha të kohës sonë nuk ja kanë prekur besimin e tij fetar, ndër të cilët bën pjesë dhe adhurimi për Skënderbeun. Por ushqen dashuri dhe nderim të madh për Pushtetin Popullor…”. Takimi i këtij plaku 75 vjeçar me etnografin ka ndodhur në vitin 1954, dhe megjithëse pushteti dhe kultura e vendit e kishin kornizuar figurën e Skënderbeut në përputhje të ngushtë me historiografinë, edhe legjendat e mbledhura duhet të përkonin deri diku në këtë përmasë “zyrtare”. Megjithatë, Liperi i admiron dhe i mirëkupton pleqtë si Jahja apo dhe të tjerë, që rrëfejnë legjenda thellësisht islamike me Skënderbeun evlia të Allahut. Ndërkaq, “Ngjarjet e mëdha të kohës tonë” nxitën në atë kohë etnografin tjetër, Qemal Haxhihasani, të mbledhë disa “këngë popullore” dhe nën siglën: “Evokimi i figurës së Skënderbeut në këngët e reja popullore” t’i përfshijë në publikimin jubilar të përgatitur nga vetë ai: “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun”. Ja njëra prej tyre:

Der njat ditë qi leu Partia,

lindi drita e Shqipnisë,

Shpërthyen rrezet e lirisë. 

Tash na i duel fati atdheut

prej stërnipave t’Skënderbeut.

Edhe sot nder duer t’Enverit  

ruhet shpata e Skanderit!

        (Markaj – Tropojë)

Ajo shpata, më të cilën bënte “talim” rrëfimtari i etnografit, kishte kaluar në duart e liderit politik të kohës, falë dhe bëmave të Skënderbeut të përjetuara në shesh-xhirimet e Krujës. Trualli i zhvillimit dramatik të këtij teatri absurd është i njëjti. Mes mjegullës ideologjike legjendare dihej se kush është tashmë Skënderbeu, ndërsa turqit dhe tradhtarët e hutuar shquhen si figurantë sa herë i ndriçon drita e prozhektorit të filmit.

Për të mbetur te besnikëria ndaj teksteve të skenarit të filmave historikë po evokojmë rastet e një tjetër filmi titanik për kohën, si nga përmasa e realizimit dhe nga mesazhet “historike” që i përcillte publikut. Është fjala për filmin “Nëntori i Dytë” (1982), film mbi ngjarjet dhe rrethanat e ditëve të pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. I quajtur pikërisht “Nëntori i Dytë”, për të pasur në vëmendje “Nëntorin e Parë”, vjeshtën kur Skënderbeu – të cilit i ishte kushtuar tashmë një film artistik – u kthye në atdhe dhe pikërisht në Krujë e ngriti flamurin me shkabën dykrenore, që pastaj edhe Ismail Qemal Beu e ngriti në Vlorë.

Mbase këta “dy nëntorë” – sigurisht – do t’i hapnin rrugën një “Nëntori të Tretë”, atij të vitit 1944, kur nisi të instalohej në vend regjimi komunist. Dhe, tani, në shekullin XXI, kur është trasuar memoria historike publike, kryesisht me kontributin e hekurt të shkencës së nacional-komunizmit, stina mbetet hapur për ndonjë “Nëntor të Katërt”.

Në një artikull të paradokohe, dr. Jakup Krasniqi përmend një porosi nga babai i kombit, Ismail Qemali, kur përsiat mbi domosdoshmërinë e një kujdesi të madh në rishikimin e teksteve të historisë. Ai është kritik ndaj gjendjes së historiografisë sonë dhe ndaj kërkesave për të rishikuar aspekte domethënëse të së kaluarës, ku përfshihen turqit, por dhe sllavët. Paaftësinë, po dhe mungesën e integritetit ai krahason me përgjumjen që rrezikon t’i shpjerë kombet drejt amnezisë. Sipas tij: “Kjo e fundit, në fakt ishte një porosi e urtë e të mençurit mjekërbardhë, Ismail Qemali e thënë në filmin “Nëntori i Dytë”. Shqiptarët nuk fjetën, veçse nuk qëndruan as pa gjumë, siç porositi Ismail Qemali. Sigurish, unë nuk jam kundër shkrimit e rishkrimit të historisë….” Mosrishkrimi i historisë mbështetet me batuta historiko-patriotike të ricikluara nga ekrani televiziv. Citimi patetik, për atë që mëton të rrekë, ngjan me ndonjë skenë harakiri, sigurisht të njohur si realitet përmes filmave me shpata.

Ndërkohë, në një reportazh që në të shumtën e tij është reflektim mbi udhëtimin drejt Prishtinës, ku do të vizitojë një ekspozitë pikture, shkrimtari Kiço Blushi në kthim ndalon në qytetin historik të Prizrenit. Gjithkund sheh postera të presidentit Erdogan, i cili pak kohë më parë ka mbajtur një takim me dy kryeministrat shqiptarë, pikërisht në Prizren. Këtë prezencë “politike” të liderit turk, Blushi e gjen si ringjallje të ndikimit islamik, që herë pas here tenton të zgjerohet në trojet tona. Me fjalët e tij: “Nuk e di përse m’u kujtua, teksa drekonim matanë urës së qytetit, kjo frazë nga skenari im i filmit “Nëntori i Dytë”, kur pashai turk, që i kishte zënë rrugën Ismail Qemalit të mbërrinte në kohë në Vlorë, i thotë me zemërim: “Nuk bëhen dot hasha 500 vjet, Ismail Bej!…. Pas do të na kini tërë jetën!”. Ironikisht, “e vërteta historike”, gati si profetësi, vjen në formën e kapsulës së namatisur, që vetë gatuesi i saj e ka futur në kthinën e fshehtë të unazës, për raste kritike, për ta përtypur në raste hidhërimi matanë urës së gurtë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button