Mbi 75cm borë në Kodër të Diellit! Sezoni i skijimit vazhdon dhe sjell turistë të huaj

Edhe pse jemi në fund të muajit mars, në Kodër të Diellit në Tetovë bora ka arritur mbi 75 centimetra. Bora e re e rënë gjatë vikendit dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që sezoni i skijimit të vazhdojë dhe të tërheqë turistë. Nga kjo qendër njoftojnë se, deri sa të ketë borë të mjaftueshme, sezoni do të vijojë, ndërsa çmimet e biletave për ski janë ulur për 30%.

“Po siç e shihni ka borë të re edhe vazhdojmë me skijim domethënë deri sa të kemi borë ski qendra do të funksionojë. Gjithashtu këto dy uikende, këto dy javë kemi pasur zbritje të ski pasave deri më 30%. Gjithashtu do të vazhdojë edhe këto javët tjera që vijnë zbritja e ski pasave”, tha Gani Alija – drejtor i Qendrës së Skijimit.

Takuam edhe disa turistë. Njëri nga Bjellorusia shprehet i kënaqur dhe mahnitur nga bukuritë e Kodrës së Diellit.

“Super është fundi i sezonit ka mjaft bore, koha është shumë e mirë. Kam qenë në Bansko pothuajse tre muaj, por këtu është shkëlqyeshëm”, tha një turist.

“Tani janë kushtet më të mira. Ka më tepër se 20 centimetra më tepër borë. Shkëlqyeshëm, momentalisht kënaqemi’’, shtoi një turist tjetër.

Ndërsa hotelierët bëjnë të ditur se shumica e turistëve janë të huaj, bora ka sjellë gjithashtu edhe vizitorë të rinj.

“Ne ende jemi në sezon, kemi vazhdimisht mysafirë edhe pse normal ka filluar të zvogëlohet numri. Kjo dëbora e re që ka ra natyrisht se na sjell mysafirë të ri. Ka kërkesa të reja të cilët duan të vijnë të skijojnë pasi që e dinë se ka borë të re. Ndërsa sa i përket mysafirëve ato si duket janë lodhë dhe presim pranverën’’, deklaroi Hashim Hasani – pronar hoteli.

Sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit vazhdon me intensitet të plotë, bëjnë të ditur nga qendra e skijimit, duke theksuar se kushtet për skijim janë të shkëlqyera. /TV21

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button