Mbi 382 mijë njerëz do të jenë të pastrehë në Britani për Krishtlindje

Më shumë se 382 mijë njerëz në Britani do të jenë pa një shtëpi të përhershme për Krishtlindje, sipas një analize nga organizata bamirëse e strehimit ‘Shelter’, e cila po i kërkon qeverisë të veprojë mes presioneve në rritje të dimrit, transmeton Anadolu.
Hulumtimet treguan se mungesa e strehimit është rritur me 8 për qind në një vit, me “1 në çdo 153 persona që tani ose flenë jashtë ose jetojnë në strehim të përkohshëm”.
‘Shelter’ tha se rritja e ndjeshme pasqyron një mungesë të madhe të strehimit social, rritjen e çmimeve të qirave private dhe ngrirjen e vazhdueshme të përfitimeve të strehimit.
Një rekord prej 350 mijë njerëzish jetojnë në strehim të përkohshëm, shumica prej tyre familje me fëmijë. Numri i atyre që flenë jashtë në një natë të caktuar gjithashtu është rritur në të paktën 4.667, respektivisht 20 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Organizata bamirëse paralajmëroi se shumë familje po kalojnë vite në strehime emergjente me cilësi të dobët, shpesh larg shkollave, vendeve të punës dhe rrjeteve të mbështetjes.
Teksa Londra mbetet rajoni më i prekur, rritje të ndjeshme janë regjistruar edhe në Anglinë Veriperëndimore, Yorkshire dhe Midlandsin Perëndimor.
‘Shelter’ u bëri thirrje autoriteteve të çbllokojnë përfitimet e strehimit në mënyrë që ato të mbulojnë të paktën një të tretën e qirave, duke argumentuar se është një nga hapat e paktë të menjëhershëm që mund të parandalojë që më shumë familje të mbeten pa strehë.
Dje, drejtoresha ekzekutive e organizatës ‘Shelter’, Sarah Elliott, tha se shifrat tregojnë një “dimër brutal” që i pret mijëra njerëz. Ajo i bëri thirrje publikut të mbështesë apelin dimëror të organizatës bamirëse, e cila financon linja ndihme, këshilla ligjore dhe shërbime në vijën e parë për ata që përballen me mungesën e strehimit.



