Mbi 2,2 milionë shtetas të Shqipërisë jetojnë në mërgim, shumica në grupmoshën 15 deri 64 vjeç

Arsyet ekonomike dhe ato familjare janë shkaqet kryesore pse rreth 2.256.346 shtetas të Shqipërisë jetojnë jashtë vendit ose 49 për qind e shtetasve shqiptarë gjithsej. Këto të dhëna janë përfshirë në raportin e fundit të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), i titulluar “Diaspora e Shqipërisë 2025”.
Emigrimi sipas këtij raporti dominohet nga meshkujt, shumica janë në moshën 30–49 vjeç, me femrat më të shumta te grupmoshat nën 30 vjeç dhe meshkujt te grupmosha 50–64 vjeç.
Gjatë viteve 2021-2023, shqiptarët fituan më shumë shtetësinë në vendet kryesore të Evropës, ndërsa në 2024, shumica e lejeve të qëndrimit në BE ishin për bashkim familjar (47,6 për qind), ndjekur nga punësimi (29,1 për qind), arsye të tjera (22,4 për qind) dhe studim (1 për qind).
“Shqiptarët largohen kryesisht për mundësi më të mira ekonomike (70 për qind), ndërsa gjysma e tyre dërgojnë remitanca në Shqipëri, duke mbështetur familjet dhe duke rritur kapitalin njerëzor. Shumica përdorin kanale informale, ndërsa vetëm 30 për qind përdorin banka ose operatorët e transferimit të parave”, thuhet në raport.
Ndryshe, vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptar, si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Itali, Greqi, Gjermani, Francë, si dhe Mbretëri e Bashkuar.



