Mbërritja e trupave evropiane në Grenlandë pas ngecjes së bisedimeve me SHBA-në për të ardhmen e ishullit

Ushtarë nga Franca, Gjermania dhe vende të tjera evropiane kanë nisur të mbërrijnë në Grenlandë për të forcuar sigurinë e ishullit arktik, pasi bisedimet mes Danimarkës, Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara nxorën në pah një “mosmarrëveshje themelore” mes administratës së presidentit Donald Trump dhe aleatëve evropianë.
Franca ka dërguar tashmë 15 ushtarë, ndërsa Gjermania 13. Në mision po marrin pjesë edhe Norvegjia dhe Suedia.
Misioni është përshkruar si një ushtrim njohjeje të territorit, ku trupat do të vendosin flamurin e Bashkimit Evropian në Grenlandë si një akt simbolik.
“Elementët e parë ushtarakë francezë janë tashmë në rrugë” dhe “të tjerë do të pasojnë”, deklaroi të mërkurën presidenti francez Emmanuel Macron, ndërsa autoritetet franceze njoftuan se ushtarë nga njësia e këmbësorisë malore tashmë ndodhen në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës.
Franca tha se misioni dyditor synon të tregojë se trupat e BE-së mund të dislokohen shpejt nëse lind nevoja.
Ndërkohë, Ministria gjermane e Mbrojtjes njoftoi se po dërgon një ekip zbulimi prej 13 personash në Grenlandë të enjten.
Danimarka shpalli të mërkurën planet për të rritur praninë e saj ushtarake në Grenlandë, në të njëjtën ditë kur ministrat e jashtëm danez dhe grenlandez u takuan me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë në Uashington për të diskutuar synimet e Trumpit për të marrë nën kontroll territorin gjysmëautonom danez, me qëllim shfrytëzimin e burimeve minerare, në kushtet e rritjes së interesit rus dhe kinez.
Megjithatë, dy ministrat dolën nga takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe Zëvendëspresidentin JD Vance pa ndonjë përparim të dukshëm në përpjekjet për ta bindur Uashingtonin të heqë dorë nga ideja e marrjes së Grenlandës.
“Nuk arritëm ta ndryshonim qëndrimin amerikan,” u tha gazetarëve ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen. “Është e qartë se presidenti ka këtë dëshirë për ta pushtuar Grenlandën.”
Homologia e tij grenlandeze, Vivian Motzfeldt, bëri thirrje për bashkëpunim me SHBA-në, por theksoi se kjo nuk do të thotë që vendi dëshiron të jetë “pronë e Shteteve të Bashkuara”.
Dy ministrat njoftuan synimin për të krijuar një grup pune për të vazhduar adresimin e shqetësimeve lidhur me kontrollin mbi Grenlandën dhe sigurinë në Arktik.
“Na duhet vërtet [Grenlanda],” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale pas takimit të së mërkurës. “Nëse ne nuk hyjmë, do të hyjë Rusia dhe do të hyjë Kina. Dhe Danimarka nuk mund të bëjë asgjë për këtë, por ne mund të bëjmë gjithçka.”
Trump tha se ende nuk ishte informuar për përmbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë kur bëri këto komente.
Të enjten, Moska kritikoi “referencat ndaj aktiviteteve të caktuara të Rusisë dhe Kinës rreth Grenlandës si arsye për përshkallëzimin aktual”.
“Së pari u shpik ideja se kishte agresorë të caktuar, e më pas se ishin gati të mbronin dikë nga këta agresorë,” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke iu referuar veprimeve të Perëndimit në Grenlandë.
Situata aktuale, tha ajo, “tregon me një qartësi të veçantë mospërputhjen e të ashtuquajturit ‘rend botëror i bazuar në rregulla’ që po ndërtohet nga Perëndimi”.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me qëndrimin e Kinës mbi papranueshmërinë e referencave ndaj aktiviteteve të caktuara të Rusisë dhe Kinës rreth Grenlandës si arsye për përshkallëzimin aktual,” shtoi Zakharova.
Frikë në komunitetet inuit
Perspektiva që SHBA-ja të zbresë në Grenlandë për të shfrytëzuar burimet minerare ka ngjallur frikë në komunitetet inuit rreth qytetit Ilulissat, i vendosur pranë një fjordi akullnajor në pjesën perëndimore të ishullit.
Para takimit të së mërkurës, Karl Sandgreen, inuit grenlandez dhe drejtues i qendrës së vizitorëve të Fjordit të Akullit në Ilulissat, i tha Al Jazeera-s: “Shpresa ime është që Rubio të tregojë pak njerëzi në atë bisedë.”
Frika e tij lidhet me mënyrën e jetesës së inuitëve.
“Ne jemi krejtësisht ndryshe. Ne jemi inuitë dhe kemi jetuar këtu për mijëra vjet,” tha ai. “Kjo është e ardhmja e vajzës dhe e djalit tim, jo një e ardhme për njerëz që mendojnë vetëm për burimet.” /Al Jazeera/



