Mbappe fiton betejën ligjore ndaj PSG-së

Gjykata franceze ka vendosur në favor të Kylian Mbappe në çështjen e hapur kundër Paris Saint-Germain për detyrime financiare.
Sipas vendimit, klubi parizien duhet t’i paguajë futbollistit mbi 55 milionë euro. Shuma përfshin bonuse dhe paga të papaguara për periudhën prill–qershor 2024. Krahas kësaj, pritet që me shtesat për pushimet vjetore, totali të arrijë rreth 61 milionë euro.
Vendimi u mor nga gjykata e punës në Francë, bazuar në kontratën mes palëve. PSG kishte kërkuar gjithashtu dëmshpërblim për largimin e lojtarit me parametra zero, por kjo kërkesë u refuzua.
Po ashtu, u hodhën poshtë edhe pretendimet e Mbappe për cenim moral, shpifje dhe rikonceptim të kontratës. Çështja konsiderohet e mbyllur ligjërisht mes palëve.



