MASH-i shpalli konkurs për avancim në karrierë për mësimdhënësit dhe përherë të parë për bashkëpunëtorët profesional

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dje shpalli Konkurs publik për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional në shkollat e mesme për parashtrim të kërkesave për avancim në karrierë në profesionin mësimdhënës-mentor dhe bashkëpunëtor-mentor profesional. Minsitrja Vesna Janevska sot deklaroi se është shumë me rëndësi që për herë të parë konkursi i referohet edhe avancimit të bashkëpunëtorëve profesional.
“Kjo deri më tani nuk ishte e zakonshme. Do të thotë, në arsimin fillor do të avancojnë mësimdhënësit në mentorë, tashmë mentorët e zgjedhur në këshilltarë, ndërsa bashkëpunëtorët profesional në mentorë. Në arsimin e mesëm për herë të parë do të ketë avancim në karrierë, do të ketë edhe për mësimdhënësit, edhe për bashkëpunëtorët profesional, avancim në mentorë. Unë jam e lumtur që e zhbllokuam këtë proces, falë mirëkuptimit të Qeverisë e cila mundësoi mjete për diçka të tillë, kuptohet, por edhe për shkak të vëmendjes që kjo Qeveria ua kushton mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesional”, tha Janevska duke u përjgigjur në pyetje të gazetarëve pas kontrollit në punët ndërtimore për rikonstruimin e konviktit “Kuzman Josifovski-Pitu” në Shkup.
Siç tha, edhe në të kaluarën “kanë mundur ta bëjnë këtë, por pati vetëm një konkurs për shtatë vite”.
“Ne e zhbllokuam këtë proces dhe do ta bëjmë të rregullt ashtu siç është paraparë me ligj. Në arsimin fillor do të ketë avancime të 149 mentorëve në këshilltarë dhe të 138 bashkëpunëtorëve profesional, për herë të parë në mentorë. Në arsimin e mesëm do të kemi 88 mentorë dhe 65 bashkëpunëtorë profesional. Konkursi është i hapur, u dëshiroj sukses të gjithëve që do të paraqiten”, tha Janevska.