Marsh protestues në Shkup në mbështetje të Palestinës

Sonte në Shkup u mbajt marsh proteste në mbështetje të popullit palestinez në Gaza. Marshi, i cili filloi nga para Monumentit i Gjenocidit të Srebrenicës që ndodhet në parkun e Çairit, vazhdoi përgjatë bulevardit “Cvetan Dimov” deri te xhamia e Murat Pashës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, me thirrjet “armëpushim i menjëhershëm në Gaza”, ” ndaloni vrasjen e fëmijëve në Gaza”, “ndaloni mbështetjen e Izraelit”.
Nga Platforma e Shoqatave për Mbështetjen e Palestinës, që janë organizatorë të marshimit protestues, kërkojnë armëpushim të menjëhershëm dhe dhënien e ndihmës humanitare nga buxheti i shtetit për të mbështetur Gazën.
Në emër të Platformës së Përbashkët të Shoqërive Civile në Mbështetje të Palestinës, Selma Rizvanovic Mandal, në fjalimin e saj tha se numri i viktimave në Gaza e ka tejkaluar atë të gjenocidit në Srebrenicë, të cilin e dënoi e gjithë bota dhe tha se qytetarët janë të zhgënjyer nga votimi abstenues i Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara.
“Çështja palestineze daton në vitin 1948 dhe për 75 vjet okupim, mbi njëqind mijë civilë janë vrarë në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Nga 7 tetori e deri më sot, çdo 10 minuta Izraeli vret një fëmijë në Gaza. Këto nuk janë thjesht numra, por sy të vegjël të mbyllur përgjithmonë, jetë të shuar para kohe të studentëve, inxhinierëve, mjekëve, gazetarëve, shkencëtarëve, artistëve, shkrimtarëve, gjithçka që mund të imagjinoni, nuk do të jenë kurrë. Fëmijët në Gaza kanë të drejtën e jetës, fëmijët në Gaza kanë të drejtë të flenë të qetë”, tha Rizvanovic Mandal.

