Maqedonia ka rezerva të naftës për 60 ditë!

Pjesa më e madhe e rezervave shtetërore të naftës ruhen në depot e katër kompanive në vend. Një pjesë më e vogël ruhet në rezervuarë që janë në pronësi shtetërore. Pjesa tjetër ruhet në katër kompanitë Okta, Makpetrol, Lukoil dhe Supertrade, të cilat paguhen për këtë shërbim.

REZERVAT SHTETËRORE TË NAFTËS:

Lloji i derivatit  –  Sasia

Eurodizel             -138,9 milionë litra

Benzinë (Eurosuper 95) -32,1 milionë litra

Vaj ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1)       -10,8 milionë litra

Mazut M-1          -5,3 milionë kilogramë

Megjithatë, kompanitë kanë detyrim që në çdo moment t’i vënë derivatet në dispozicion të shtetit, nëse Qeveria vendos të ndërhyjë në treg. Nga Agjencia për Rezervat e Detyrueshme të Naftës thonë se kontrollohet deri në litër se sa derivate ka, pra se ato janë në çdo moment në dispozicion të shtetit.

“Bashkë me Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe me institucionin tonë shkojmë në depot e tyre, i kontrollojmë dhe deri tani gjithçka është në rregull. Të gjitha sasitë janë të gatshme të ndërhyjnë në treg në çdo moment kur Qeveria ta kërkojë nga ne… Kompanitë kanë detyrim ligjor që në çdo moment të ruajnë saktësisht litrat që ne kemi blerë. Ne kemi një trup inspektues të akredituar me të cilin shkojmë së bashku, marrim mostra dhe verifikojmë nëse i kemi ato litra apo jo”, tha Nexhmedin Sadiki, Agjencia për Rezervat e Naftës .

Sipas drejtorit të Agjencisë, ka mjaftueshëm derivate të naftës për rreth 60 ditë, për të mbuluar konsumin mesatar në vend. Ai thotë se rezervat rinovohen rregullisht dy herë në vit, për të përmbushur standardet dimërore dhe verore të karburanteve. Sipas kalendarit, aktualisht është periudha kur duhet të sigurohen sasitë që i përshtaten standardeve verore të derivateve.

Sadiki thotë se kanë mjete të mjaftueshme për blerjen e derivateve, por nëse është e nevojshme, Qeveria mund të ndihmojë.

“Procesi është në vazhdim. Kemi mjete, por nëse ka nevojë, sigurisht do të kërkojmë edhe ndihmë nga Qeveria. Aktualisht një pjesë të mjeteve i sigurojmë përmes Administratës Doganore, ku për çdo sasi të importuar marrim një pjesë të mjeteve, me të cilat më pas i ruajmë rezervat dhe i mirëmbajmë, ndërsa një pjesë të tyre i përdorim edhe për blerjen e sasive të reja”, pohoi Nexhmedin Sadiki, Agjencia për Rezervat e Naftës.

Ndryshe, direktiva evropiane parashikon që shtetet të kenë rezerva nafte që mund të mbulojnë konsumin mesatar ose importin neto për 90 ditë.

“Rezervat e naftës mund të jenë në një nivel të kënaqshëm, por ende jemi larg standardit evropian për 90 ditë. Ka dy arsye për këtë. E para është mungesa e parave, ndërsa e dyta është hapësira ku do të ruheshin këto derivate”, raporton TV21

Në fund, nga Agjencia thonë se edhe pse jemi rreth 30 ditë më pak se standardi evropian, megjithatë me rezervat e naftës qëndrojmë më mirë në rajon. Arsyeja, sipas tyre, është se kemi përputhje ligjore me rregulloret evropiane, por edhe fakti që rezervat tona ruhen brenda vendit. Në disa shtete të rajonit rezervat ruhen në kapacitete në shtete fqinje, sepse nuk kanë hapësira të mjaftueshme depozituese.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button