Maqedonia e Veriut e gjashta në botë për tërheqjen e investimeve “greenfield”

Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e gjashtë nga gjithsej 105 vende të botës në raportin Greenfield FDI Performance Index për vitin 2025, i cili llogarit se sa investime të huaja ka tërhequr një vend në raport me PBB-në e tij. Në raportin që përgatitet prej dhjetë vitesh nga “FDI Intelligence”, një departament hulumtues special i “Financial Times”, theksohet se Maqedonia e Veriut, me më pak se dy milionë banorë dhe një PBB nominale prej rreth 16 miliardë dollarësh, është shembull i një vendi nga Ballkani Perëndimor që tejkalon pritshmëritë kur bëhet fjalë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, shkruan Bloomberg Adria.
Në vendin e parë në listë janë sërish Emiratet e Bashkuara Arabe, në vendin e dytë Namibia, ndërsa në vendin e tretë Kosta Rika. Nga vendet e rajonit, përveç Maqedonisë – e cila është renditur më së larti ndër dhjetë vendet e para në nivel global – janë edhe Bosnja dhe Hercegovina (vendi i 7-të) dhe Serbia (vendi i 8-të). Kroacia është renditur në vendin e 20-të në listën globale, ndërsa më poshtë se të gjitha nga rajoni është Sllovenia, e renditur në vendin e 79-të.
Nga gjithsej 105 vende të vlerësuara në raport, rreth 85 kanë shënuar një rezultat indeks mbi një, që do të thotë se pjesa e tyre në projektet globale për investime të huaja direkte “greenfield” në vitin 2024 ka qenë më e madhe se pjesa e tyre në PBB-në globale për të njëjtin vit. 20 vendet e tjera kanë një rezultat nën një, që do të thotë se kanë tërhequr më pak investime të huaja direkte në raport me madhësinë e ekonomisë së tyre.