Maqedoni: Vëllai e vret vëllain për pasuri, e fsheh trupin në hambar dhe e përdor kartelën e tij bankare
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria Themelore Publike e Kavadarit ka ngritur aktakuzë kundër një 43-vjeçari për veprën penale “Vrasje” sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 4 e Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, më 27 korrik të këtij viti, i akuzuari, për përfitim pasuror, ia ka marrë jetën vëllait të tij më të ri. Gjatë festës së ditëlindjes së viktimës, mes dy vëllezërve ka shpërthyer një debat, pasi i akuzuari kishte bindjen se vëllai donte t’ia merrte të gjithë pasurinë.
I nxitur nga zemërimi dhe urrejtja, ai e ka goditur vëllain në kokë me pjesën metalike të një çekani të rëndë (tesla), dhe pasi viktima ka rënë në tokë, e ka goditur edhe dy herë të tjera, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në vend.
Më pas, i akuzuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Të nesërmen është kthyer në shtëpinë e viktimës dhe e ka zhvendosur trupin në banjë. Gjatë ditëve në vijim është kthyer disa herë për të fshehur gjurmët, ka pastruar gjakun nga dyshemeja dhe sendet, dhe trupin e pajetë e ka fshehur në hambar, duke e groposur në një hendek dhe mbuluar me kompensatë dhe sende të tjera.
Në periudhën nga 30 korriku deri më 5 gusht, kur trupi u zbulua, i akuzuari ka tërhequr disa herë para me kartelën bankare të viktimës.
Prokurori publik, me aktakuzën e paraqitur, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin.



