Maqedonci: Baza e Kuçovës, frenuese e rrezikut të kundërshtarëve të stabilitetit

Në përurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se kjo bazë ka rëndësi të madhe strategjike, sidomos “për të krijuar një ambient të sigurt në Ballkanin Perëndimor”.
Ai për Oranews ka deklaruar të hënën se kjo bazë mund të shërbejë edhe si frenuese e rrezikut që mund të shkaktohet nga kundërshtarët e stabilitetit në Ballkan.
“Vlerësoj që për Shqipërinë në veçanti, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor ka rëndësi të madhe strategjike prezenca e një baze të tillë taktike ajrore në Shqipëri. Veçanërisht për të krijuar një ambient të sigurt në Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë për të frenuar rrezikun që mund të vijë nga kundërshtarët e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Maqedonci.
Duke folur për dronin bayraktar, ai ka thënë se roli i tij është vëzhgues, por edhe mund të bëjë operacione sulmuese.
“Është një mjet i cili është parë që është i suksesshëm. Është i domosdoshëm për ushtritë modern”, ka shtuar Maqedonci.
Bazën e NATO-s në Kuçovë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar element sigurie për Ballkanin Perëndimor.



