Manev: Vanjën e vrau Palço, unë dhe Keshishovi e varrosëm

I akuzuari Velibor Manev gjatë dëshmisë së tij të sotme për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit ka treguar të gjitha detajet rreth rrëmbimit dhe vrasjes së viktimave. Pas pauzës, pasi tregoi paraprakisht se si u rrëmbye Vanja, ai tregoi gjithashtu se si u vra. Ai ishte decid se atë e vrau Ljupço Palevski.
“Pasi e futëm në bagazh, ndoqa udhëzimet e Palevskit për lëvizje. Ai voziste me makinë para meje, unë pas tij. U ndalëm përballë vendit “Orizovi dupki”. E hapëm bagazhin. Palevski e pyeti si quhej, kush ishin nëna dhe babai i saj. Pasi e mori vesh, na tha ta nxjerrim nga makina për t’i bërë fotografi dhe për t’ia dërguar fotografinë familjes. Pasi e zbritëm nga makina, hapa thesin, hoqëm shiritin, pashë që nuk ishte grua, por fëmijë. Unë dhe Vlatko ishim pranë tij, i thamë se ishte gabim dhe ta lëmë të shkojë. Jemi nën maska, ajo nuk na parë dhe le ta lirojmë. Palevski më tha të heshtja, se nuk kuptoja asgjë, se gjithçka ishte pastër, nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, se nuk do të mund ta merrnim shumën fillestare që na ofroi për rrëmbimin, se do të ishte më e ulët. Ne heshtëm. U ktheva të shikoja përmes vreshtave, kishte kohë që nuk ishte krasitur. Të shoh se në cilën nga dhomat, të cilat ishin prej betoni, ta fusim aty. Ndërsa unë po shikoja, Palevski iu afrua Vanjas me një armë dhe një jastëk në dorë dhe qëlloi me plumb. Palço u kthye në kamionçinë, nxori një lopatë të re, na i hodhi dhe na urdhëroi të hapnim një gropë për të varrosur fëmijën. Ne gërmuam në tokën e ngrirë. Ai e kapi nga njëra anë, nga koka, dhe unë me Vllatkon nga ana tjetër, e futëm në gropë. Palesvki nxori çantën dhe e hodhi në automjetin e Pançe Zhezovit. Na urdhëroi të varrosnim, me lot në sy, pa më parë, fillova të varros edhe unë. Kur mbaruam, ai më urdhëroi ta ndiqja në makinë. Unë e ngisja veturën e Pançes, e ai me “reno kangu”, tha Manev.
Më pas ai sqaroi se Palevski e ka djegur automjetin Pançe Zhezovskit.
“U kthyem në zyrat e partisë me kamionçinë. Në pamjet ku shihet një brez i zi në gjoks, jam unë, në sediljen e pasagjerit. Ljupço Palevski ishte duke drejtuar kamionçinën. Arritëm në zyrë rreth orës 10. Pas kësaj u transferuam në makinën time dhe vazhduam për në Veles. Vlatko dhe Palevski mbetën në zyrë”, tha Manev.
Me dëshminë e të akuzuarve, sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit vazhdon gjykimi për rrëmbimet dhe vrasjet e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi.
Pas Manevit, me propozim të mbrojtjes duhet të deklarohen edhe të akuzuarit e tjerë, përkatësisht Bore Videvski, Vlatko Keshishev, pastaj babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dhe në fund i pandehuri i parë, Ljupço Palevski-Palço.
Nga provat materiale të paraqitura nga Prokuroria në një nga seancat e mëparshme të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar rezulton se në shiritin ngjitës që i është vendosur në gojë vajzës gjatë rrëmbimit të saj janë gjetur gjurmë ADN-je të të pandehurit Velibor Manev.
Në dëshminë e policëve një muaj më parë, gjegjësisht më 25 nëntor, thuhej se Manev ka treguar vendin ku është varrosur trupi i Pançe Zhezovskit.
Me dëshminë e të pandehurve, publiku pritet të mësojë më shumë detaje rreth gjithë rastit, veçanërisht për motivet e vrasjeve, rrethanat në të cilat u likuiduan vajza dhe Zhezhovski. Një nga pyetjet kryesore është pse Vanja u vra menjëherë pas rrëmbimit të saj.
Në seancën e kaluar të premten (7 mars), mbrojtja e të akuzuarit të parë, Ljupço Palevski-Palço, kërkoi që gëzhoja e gjetur në afërsi të vendit ku është gjetur trupi i Zhezhovskit, të sillet në gjykatë dhe me ekspertizë shtesë të konstatohet nëse ka mundësi të jetë shkrepur nga arma që i akuzuari Bore Videvski e posedonte me leje.
Ekspertiza e bërë në atë kohë ka rezultuar se bëhet fjalë për gëzhojë të kalibrit 9 mm, por mbrojtja kërkon më tutje nëse është shkrepur nga arma e Videvskit. Lidhur me këtë kërkesë, gjykata pritet të vendosë sot.
Përndryshe, gjatë bastisjes në shtëpinë e Videvskit më 3 dhjetor 2023, ditën kur u gjetën trupat e Vanjës dhe Pançes, u gjet leja e posedimit të armës “zbrojovka”, por jo arma.
Në seancën e kaluar, i akuzuari i parë Palevski përsëri kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Ivica Stefanovski, i cili e udhëheq procesin, për shkak të, siç tha, pamundësisë së mbrojtjes për të paraqitur prova që janë në favor të saj. Kërkesa u refuzua, ndërsa Palevski duke iu drejtuar gjykatës tha se nuk i frikësohet dënimit me burgim të përjetshëm, sepse, siç tha, aktgjykimi për të tashmë është dhënë në konferencën për media të kreut të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, Gavril Bubevski dhe ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Burgu i përjetshëm as më frikëson dhe as nuk më prek. Nuk nevojiten prova në favor të mbrojtjes sepse aktgjykimi tashmë është nxjerrë dhe këtë e garanton sjellja e kryetarit të këshillit (gjykues)”, tha Palevski.
Sipas aktakuzës, Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se së bashku kishin planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të jepte para për shpërblim. Sipas aktakuzës, rrëmbimi i të ndjerit Pançe Zhezovski nga Velesi ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin “citroen” për ta përdorur në rrëmbimin e fëmijës në Shkup.
Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.