Macron: Qeveria mund t’i mbijetojë votave të mosbesimit

Presidenti francez, Emmnuale Macron ka shprehur besimin se qeveria e tij, e udhëhequr nga kryeministri Michel Barnier, mund t’i mbijetojë mocioneve të afërta të mosbesimit, transmeton Anadolu.
Gjatë një konference për media për vizitën e tij zyrtare në Arabinë Saudite, Macron foli mbi votimin e një mocioni mosbesimi që do të zhvillohet sot.
Ai shprehu skepticizëm rreth partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN), që mbështet mocionin e mosbesimit të paraqitur nga Fronti i Ri Popullor i krahut të majtë (NFP).
“Sinqerisht, nuk besoj se parlamentarët e Tubimit Kombëtar do të votonin për një mocion që fyen ata dhe votuesit e tyre”, tha Macron.
Barnier, i cili mori detyrën tre muaj më parë, gjithashtu u shfaq optimist.
Duke folur në televizionin francez, ai tha se qeveria akoma mund t’i mbijetojë votimit parlamentar të sotëm.
Barnier kritikoi qasjen e RN-së, duke sugjeruar se votuesit e tyre dëshirojnë stabilitet politik, si dhe u bëri thirrje ligjvënësve të veprojnë me “përgjegjësi”.
Ai mohoi çdo negociatë buxhetore ose shantazh politik, veçanërisht duke iu referuar kërkesave të anëtares së RN-së, Marine Le Pen, për buxhetin e vitit 2025, duke i quajtur si “disi të tepruara”.
Skena politike mbetet e tensionuar në Francë, me dy mocione të njëkohshme mosbesimi. Aleanca NFP paraqiti një mocion me 185 përfaqësues. RN-ja dhe aleatët e saj paraqitën një kundër-mocion pasi Barnier thirri nenin 49.3 të Kushtetutës për të miratuar projektligjin e diskutueshëm të buxhetit të sigurimeve shoqërore.
Për të rrëzuar qeverinë, 289 nga gjithsej 577 ligjvënës duhet të mbështesin mocionin.
Rënia e mundshme e qeverisë qendrore të pakicës varet nga fakti nëse grupet e ekstremit të djathtë dhe të majtë do të mbështesin njëkohësisht mocionet e mosbesimit.