Macron: Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do të organizojnë një konferencë mbi misionin e lundrimit në Hormuz

Franca së bashku me Mbretërinë e Bashkuar do të organizojnë ditët në vijim një konferencë për të bashkuar vendet që janë të gatshme të kontribuojnë në një mision shumëkombësh që synon rivendosjen e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, tha të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu.
Macron tha në rrjetin social amerikan “X” se iniciativa do të fokusohet në krijimin e një “misioni paqësor shumëkombësh” për të siguruar rrugë detare përmes rrugës ujore strategjike, duke theksuar se përpjekja do të ishte “strikt mbrojtëse” dhe e ndarë nga palët e përfshira në konflikt, derisa nënvizoi se misioni synon të vendoset sapo “të lejojnë rrethanat”.
Ky deklarim vjen si pjesë e përpjekjeve më të gjera franceze për të nxitur një zgjidhje diplomatike për konfliktin në përshkallëzim në Lindjen e Mesme.
Macron theksoi se “nuk duhet kursyer asnjë përpjekje” për të arritur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme përmes diplomacisë, duke bërë thirrje për një kornizë që do t’u lejonte të gjitha palëve në rajon të jetonin në paqe dhe siguri.
Ai nënvizoi se çdo zgjidhje e qëndrueshme duhet të adresojë çështjet kyçe, duke përfshirë aktivitetet bërthamore dhe balistike të Iranit, veprimet e tij rajonale dhe nevojën urgjente për të rivendosur “lundrimin e lirë dhe të papenguar” në Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti Macron gjithashtu theksoi rëndësinë e stabilizimit të Libanit, duke thënë se vendi duhet të kthehet në shtegun e paqes me respekt të plotë për sovranitetin dhe integritetin e tij territorial.
Duke riafirmuar qëndrimin e Francës, Macron shtoi se Parisi është gati të “luajë rolin e tij të plotë” në përpjekjet diplomatike dhe të sigurisë, siç është përpjekur të bëjë që nga ditët e para të konfliktit.



