Macron: Do të dërgojmë automjete të blinduara në Liban, s’mund ta lëmë vendin të përfshihet sërish në luftë!

Për t’u mbrojtur dhe për të mbrojtur interesat e tyre në Lindjen e Mesme, por edhe për t’i shprehur solidaritet Shteteve të Bashkuara, vende të ndryshme evropiane po vënë në lëvizje arsenalin e tyre ushtarak.
Kështu, Mbretëria e Bashkuar po dërgon 4 avionë të tjerë të tipit “Typhoon” në Katar. Kryeministri Keir Starmer ka deklaruar të enjten se avionët do të bashkohen me një skuadrilje ekzistuese në shtetin e Gjirit, që është dhe një furnizues i rëndësishëm me energji, për të përforcuar operacionet mbrojtëse atje.
Franca ndërkohë ka vendosur në shërbim të Forcave Ajrore Amerikane bazat e saj në Lindjen e Mesme, edhe pse Shtabi i Përgjithshëm i vendit ka deklaruar se avionët e Shteteve të Bashkuara nuk do të përdoren për të sulmuar Iranin. Gjë që mbetet për t’u parë.
Krahas kësaj, Parisi zyrtar ka njoftuar edhe vendosjen në lindje të Mesdheut të “Charles de Gaulle”, e vetmja luftanije me fuqi bërthamore veç flotës amerikane.
Mjeti lundrues mban 20 avionë të tipit “Rafale” dhe dy sisteme “E-2C Haëkeye” që paralajmërojnë rrezikun nga sulmet e që do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së hapësirës ajrore rajonale.
Anija me peshë 42 mijë e 500 tonelata është 261 metra e gjatë dhe fuqizohet nga dy reaktorë bërthamorë të tipit “K15”.
Edhe Italia e Spanja do të dërgojnë mjete lundruese për të mbrojtur Qipron, pasi një dron iranian ra mbi bazën britanike “Akrotiri”. Lajmin e bënë të ditur ministritë përkatëse të Mbrojtjes ditën e enjte.
Krahas kësaj, Italia do të ofrojë edhe asistencë për mbrojtjen ajrore të vendeve të Gjirit, të goditura nga sulmet hakmarrëse të Iranit.
Veç vendeve të kontinentit të vjetër, Republika Islamike ka marrë edhe një goditje nga një vend i rajonit, që është gjendur gjithashtu nën sulmin izraelit. Bëhet fjalë për Libanin, qeveria e të cilit ka ndaluar të gjitha aktivitetet për pjesëtarët e Gardës Revolucionare Iraniane.
Ndërsa Azerbajxhani, pas sulmeve me dronë, ka vënë në “gatishmëri të plotë luftarake” forcat e armatosura, me urdhër të presidentit Alijev.



