Lumir Abdixhiku: Vendimi i Kushtetueses ka sjellë qartësi, LDK e gatshme të kontribuojë për zgjidhje

Kreu i Lidhjes Demokratike: Nuk bëhemi alibi e dështimeve, të gatshëm për zgjedhje nëse s’ka marrëveshje.

Kreu i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një moment që sjell qartësi institucionale.
Ai theksoi se LDK e respekton plotësisht aktgjykimin dhe e konsideron atë si udhërrëfyes për hapat e mëtejmë politikë, duke shtuar se vendimi nuk krijon epërsi për asnjë palë, por e rikthen procesin në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Abdixhikut, përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit mbetet te shumica parlamentare, e cila, siç tha ai, ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces.

Ai përsëriti qëndrimin se çështje të tilla duhet të zgjidhen përmes marrëveshjes politike dhe jo imponimit, duke theksuar se presidenti duhet të jetë figurë bashkuese dhe jo zgjatim i shumicës.

Abdixhiku shtoi se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje që garanton stabilitet institucional, por nuk do të bëhet “alibi e dështimeve të askujt”.

Në të njëjtën kohë, ai mbrojti veprimet e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ato kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues, ndërsa vuri në dukje se Gjykata nuk ka konstatuar shkelje nga ana e saj.

Në fund, ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje brenda 34 ditëve, LDK do të hyjë e përgatitur në zgjedhje të reja, duke synuar të ofrojë alternativa për vendin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button