Luftimi i zjarreve në RMV me mungesë stafi e automjete të vjetra

Rritja e temperaturave ka alarmuar institucionet në Maqedoninë e Veriut për kujdes nga ndezja e zjarreve, nga të cilat viteve të fundit janë shkrumbuar qindra hektarë pyje.
Në dy javët e fundit, në rajonin e Prilepit në jug të vendit, janë regjistruar mbi 50 zjarre, që është gati 40 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Temperaturat përvëluese, e sidomos pakujdesia e njerëzve, janë arsyet më të shpeshta për shpërthimin e zjarreve, thonë nga njësia e zjarrfikësve të Prilepit, e cila mbulon edhe tri qytete të tjera në këtë pjesë të vendit.
“Kemi mungesë të madhe të kuadrit. Janë 34 zjarrfikës profesionistë që po përballen me zjarret e këtyre ditëve, ndërkohë kemi nevojë për të pakën 60 të tjerë. Besojmë se institucionet do të ndërmarrin masa për të angazhuar zjarrfikës sezonalë”, thotë Hristijan Momiroski, komandant i zjarrfikësve në Prilep.
Sipas Qendrës për Komunikim Civil, një organizatë që merret me monitorimin e punës së institucioneve shtetërore dhe furnizimeve publike, shtatë automjete zjarrfikëse në vend janë më të vjetra se gjysmë shekulli.
Sipas hulumtimit, në dy qytete ende janë në përdorim dy automjete për shuarjen e zjarrit të prodhuara në vitin 1996.
Në funksion të shuarjes së zjarreve këtë sezon do të jenë dy avionë të njohur si “air tractor”, po kjo flotë përballet me mungesë të pilotëve pasi tani për tani është vetëm një pilot që do të përfshihet në luftën kundër zjarreve.
“Dy nga gjithsej tre pilotët që u përfshinë vitin e kaluar në shuarjen e zjarreve të mëdha, kanë dalë në pension, andaj pritet që Qeveria e re të gjejë një zgjidhje kompromisi lidhur me pagat për angazhimin e pilotëve të pensionuar”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Dëmet ekonomike nga djegia e zjarreve janë të tmerrshme. Nëse kësaj ia shtojmë edhe dëmet ekologjike, dëmet ndaj botës bimore e shtazore si dhe ato ndaj ambientit, atëherë vërtet kemi të bëjmë me dëme katastrofale”, thotë Stojançe Angellov nga Qendra për Menaxhim me Krizat.
Ai pranon se gjendja me resurset për përballje me zjarret është e rënduar dhe se për këtë, sipas tij, janë të gjithë fajtorë.
Më shumë se 55 milionë euro llogariten dëmet e shkaktuara nga zjarret në pesë vjetët e fundit, sipas të dhënave të Qendrës së Menaxhimit të Krizave.
Që nga viti 2019 janë djegur më shumë se 600 mijë metër kub dru cilësor. Kjo do të thotë se në këto pesë vjet u dogj dru, që do të kishin ngrohur mesatarisht 100 mijë familje 4-anëtarëshe për një sezon.