Lufta ndaj Iranit, Axios: Vance akuzon Netanyahun për “shitje” te Trumpit

Zv.Presidenti amerikan J.D. Vance pati një bisedë telefonike të tensionuar me Benjamin Netanyahun të hënën, sipas Axios, ku thuhet se numri dy i Shtëpisë së Bardhë e ka akuzuar kryeministrin izraelit për “shitje” te Trump të idesë së një lufte “të lehtë” kundër Iranit.
“Para luftës, Bibi ia kishte paraqitur këtë presidentit si diçka të lehtë, si diçka ku ndryshimi i regjimit ishte shumë më i mundshëm sesa ishte në të vërtetë. Dhe Zv.Presidenti kishte një pamje të qartë të disa prej këtyre deklaratave”, tha një zyrtar amerikan për Axios, duke përdorur nofkën e Netanyahu-t.
Pas telefonatës, një zyrtar amerikan i tha medias se Izraeli po minonte Vance, i cili ka marrë një rol udhëheqës në negociatat e armëpushimit me Iranin. Vance, i cili prej kohësh ka kundërshtuar publikisht luftërat e pafundme jashtë vendit, po merr pjesë në bisedime së bashku me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Zyrtari amerikan akuzoi Izraelin se qëndron pas raporteve se Irani dëshiron të negociojë me Vance, duke e konsideruar atë më pajtues në arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
“Është një operacion izraelit kundër JD,” tha zyrtari amerikan për Axios. Media raporton se nuk ka prova për një operacion të tillë.
Raporti citon një zyrtar tjetër të ketë thënë se Vance do të ishte personi më i mundshëm për të arritur një marrëveshje me Iranin.
“Nëse iranianët nuk mund të bëjnë një marrëveshje me Vance, atëherë ata nuk do të bëjnë një marrëveshje. Është më e mira që do të marrin,” tha një zyrtar i lartë amerikan për Axios. /tesheshi.com/



