Lufta e vështirë për mbijetesë e palestinezëve të zhvendosur në Gaza

Shumë palestinezë, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan në sulmet e Izraelit në Gaza, po luftojnë për të mbijetuar në kushte të vështira në tenda të improvizuara, raporton Anadolu.

Palestinezët kanë vështirësi të plotësojnë nevojat e tyre bazë, për shkak se Izraeli ka mbyllur kufijtë për Gazën dhe ka penguar hyrjen e ndihmave humanitare.

Në këtë jetë të vështirë, fëmijët që jetojnë në një kamp tendë në Khan Younis mbështesin familjet e tyre duke larë rroba dhe duke u kujdesur për vëllezërit dhe motrat e tyre.

Me ujin që palestinezët arrijnë të sigurojnë për nevojat e tyre të përditshme, gratë palestineze kryejnë punët e tyre të përditshme.

Zyrtarja e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Gaza, Rosalia Poulin tha se mungesa e ujit në Gaza ka arritur nivele kritike dhe se vetëm një në 10 persona në Rripin e Gazës ka qasje në ujë të pastër dhe të pijshëm, ndërsa 90 për qind e popullsisë përpiqen të gjejnë ujë të pastër për të mbijetuar.

Agjencitë e OKB-së thonë se 1.8 milion njerëz në rajon, më shumë se gjysma e të cilëve janë fëmijë, kanë nevojë urgjente për ujë të pastër dhe ndihmë shëndetësore.

Si pasojë e sulmeve dhe bllokadës izraelite, në Rripin e Gazës përjetohet krizë ushqimore, mungesë e ujit dhe energjisë elektrike.

Numri i palestinezëve që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, ka arritur në 48.503 ndërsa numri i të plagosurve në 111.927.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button