Lufta e Tuvalus për mbijetesë, nga një ishull në fundosje në komb digjital

Tuvalu, një komb i vogël ishullor i Paqësorit me një popullsi prej pak më shumë se 11 mijë banorë, po përballet me një të ardhme të tmerrshme pasi rritja e nivelit të detit kërcënon fundosjen e nëntë shkëmbeve korale të ishullit deri në shekullin e ardhshëm, raporton Anadolu.

Shkencëtarët parashikojnë se 95 për qind e tokës së ishullit Tuvalu në vitin 2100 do të jetë nën ujë gjatë baticës së lartë.

Kjo krizë e afërt mund të fshijë Tavalun nga territori i tij fizik, duke vendosur në rrezik statusin e tij si shtet sovran sipas të drejtës ndërkombëtare, e cila kërkon një territor të përcaktuar për shtetësi.

– Projekti “kombi digjital”

Në përgjigje të këtij kërcënimi ekzistencial, Tuvalu ka nisur një iniciativë ambicioze të quajtur projekti “Kombi digjital”, me synim për të ruajtur identitetin, kulturën dhe qeverisjen e tij në fushën digjitale.

I shpallur në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP27) në Egjipt nga ministri i Punëve të Jashtme i Tuvalus, Simon Kofe, projekti synon të krijojë një kopje virtuale të ishujve dhe të arkivojë trashëgiminë kulturore të vendit.

“Shpirti i Tuvalus do të qëndrojë”, tha Kofe, duke u kërkuar qytetarëve të kontribuojnë me kujtime, tradita dhe artefakte personale në arkivin digjital.

Projekti “Kombi digjital” shkon përtej ruajtjes kulturore. Ai përfshin digjitalizimin e të dhënave zyrtare shtetërore, krijimin e pasaportave virtuale dhe aftësimin e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe aktivitete civile nga kudo në botë.

Kjo qasje inovative synon të mbrojë të drejtat ligjore dhe strukturën e qeverisjes së Tuvalus, edhe nëse territori i tij fizik fundoset nën ujë.

– Rreziku i njohjes së shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare

Megjithatë, humbja e territorit ngre pyetje komplekse ligjore, duke përfshirë njohjen e Tuvalus si një shtet sipas të drejtës ndërkombëtare.

Duke folur për Anadolu, profesori Guy S. Goodwin-Gill nga Universiteti i Oksfordit tha se “ndonëse territori mund të bëhet gjithnjë e më i pabanueshëm, njerëzit mund të lëvizin në një vend tjetër”.

“Mendoj se duhet të pranohet se varet nga pranimi dhe pëlqimi i shteteve të tjera se si ata trajtohen dhe si entiteti që është Tavulu vazhdon të ekzistojë”, thotë Goodwin-Gill.

Derisa nuk ka një kuadër ligjor ndërkombëtar për një “komb digjital”, thekson Goodwin-Gill, “digjitalizimi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm si një formë e identitetit kolektiv”.

“Mendoj se do të shohim shtetet duke e njohur gjithnjë e më shumë atë në sfera të ndryshme, veçanërisht në lidhje me ekzistencën e vetë shteteve”, shprehet ai.

Sfida e Tuvalus gjithashtu ka çuar në marrëveshje të paprecedentë ndërkombëtare. Marrëveshja e Bashkimit Australi-Tuvalu Falepili, e nënshkruar në vitin 2023, trajton zhvendosjen e qytetarëve të Tuvalus përmes një klauzole të “lëvizshmërisë dinjitoze”.

Ajo u jep qytetarëve të Tuvalus mundësinë për të emigruar gradualisht në Australi, duke siguruar që ata të ruajnë dinjitetin dhe identitetin e tyre.

Pavarësisht këtyre masave, shqetësimet mbeten për ruajtjen e sovranitetit dhe vetëqeverisjes së Tuvalus në tokë të huaj.

– E ardhmja e pasigurt e banorëve të Tuvalus

Goodwin-Gill shpreh pasiguri, duke theksuar se nuk është ende e qartë se si Tuvalu do të vazhdojë të ekzistojë sipas ligjeve të një vendi dhe qeverie tjetër apo si do të zgjidhen konfliktet midis dy qeverive.

Ai po ashtu thekson rëndësinë e negociimit të marrëveshjeve ligjore për çështje të tilla si të drejtat pronësore, ligji familjar dhe kujdesi shëndetësor për qytetarët e Tuvalus në Australi.

Donald Rothwell, një profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Kombëtar Australian, thekson gjithashtu sfidat unike të paraqitura nga situata e Tuvalus.

“Tradicionalisht, një territor i përcaktuar në mënyrë të arsyeshme ka qenë një kërkesë e njohjes si shtet, së bashku me një popullsi të përhershme, një qeveri pak a shumë të qëndrueshme dhe një shkallë e konsiderueshme e pavarësisë”, shpjegon Rothwell.

Ai thekson se nuk ka precedent historik për një shtet që humbet territorin e tij vetëm për shkak të ndryshimeve klimatike.

Përpjekjet për digjitalizimin e Tuvalus janë një dëshmi e vendosmërisë së tij për t’u përshtatur. Rothwell thotë se digjiitalizimi i të dhënave për një popullsi të vogël si ajo e Tuvalus është e realizueshme në krahasim me kombet më të mëdha, duke e krahasuar konceptin e një qeverie digjitale me operacionet e korporatave shumëkombëshe.

Megjithatë, Rothwell pranoi se ata janë larg zgjidhjes së kësaj çështjeje sipas të drejtës ndërkombëtare, madje edhe për anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shtetet e tjera.

– Tuvalu mund të krijojë rast precedenti

Gjendja e vështirë e Tuvalus ka tërhequr vëmendjen ndaj ndikimeve globale të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së nivelit të detit. Goodwin-Gill theksoi potencialin e tij si një rast precedenti.

“Mendoj se marrëveshja Australi-Tuvalu është një model që shtetet e tjera mund të duan ta përshtatin. Zelanda e Re, për shembull, ka ndërmarrë tashmë hapa për të inkurajuar migrimin e Paqësorit Jugor nga vende të ndryshme”, tha Goodwin-Gill.

Sipas ti, këto dy vende “po udhëheqin rrugën në shumë aspekte dhe mund të mbajnë pjesën tjetër të botës”.

Derisa Tuvalu digjiitalizon ekzistencën dhe negocion të ardhmen e qytetarëve të saj, bota e vëzhgon nga afër.

Lufta e këtij ishulli shërben si një kujtesë e ashpër e nevojës urgjente për bashkëpunim ndërkombëtar për të adresuar sfidat e zhvendosjes së shkaktuar nga klima dhe për të mbështetur kombet e cenueshme në vijën e parë të krizës klimatike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button