Lufta e Izraelit për supremaci rajonale nuk do të përfundojë me Iranin

Izraelitët dhe disa në diasporën iraniane festuan kur goditja e parë në Luftën e Tretë të Gjirit u ndërmor herët të shtunën e 28 shkurtit në mëngjes, kur Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe dhjetëra liderë të tjerë ushtarakë e politikë u eliminuan.

Delegacionet iraniane në bisedimet në Gjenevë dhe Oman sapo kishin bërë një ofertë të konsiderueshme, sipas kryenegociatorit, ministrit të Jashtëm të Omanit Badr bin Hamad al-Busaidi.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, iu përgjigj me luftë.

Bisedimet kishin qenë një farsë gjatë gjithë kohës, ashtu si edhe qershorin e kaluar, kur SHBA dhe Israel sulmuan Iranin për herë të pare, shkruan David Hearst, gazetar britanik.

CIA kishte ndjekur lëvizjet e Khameneit për muaj të tërë dhe operacioni priste momentin kur udhëheqja e lartë iraniane të ishte e mbledhur. Të shtunën kjo ndodhi në dy takime në ndërtesa ngjitur, dhe Izraeli goditi.

Sikur të flisnin nga i njëjti skenar, Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u bënë thirrje iranianëve të dalin në rrugë dhe të ngrihen kundër regjimit, ashtu siç kishin tentuar të bënin në janar.

Por kjo nuk ndodhi. Brenda pak orësh, Irani u përgjigj me breshërinë e parë të raketave.

Që në momentet e para u bë e qartë se kjo luftë kishte të bënte me ndryshimin e regjimit, jo me pasurimin e uraniumit apo raketat e Iranit.

Ndryshimi i regjimit ishte pikërisht ajo kundër së cilës Trump dhe lëvizja Make America Great Again kishin bërë fushatë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shtoi një arsye të shtesë, duke pretenduar se sulmi ishte parandalues, pasi SHBA e dinte se Izraeli ishte gati të sulmonte.

Trump u përpoq ta mohojë idenë se SHBA u shty nga Izraeli drejt luftës, duke pretenduar të kundërtën.

Netanyahu ka qenë shumë më i qëndrueshëm në qëllimin e tij për t’i dhënë Iranit një goditje shkatërruese. Ai e ka ndjekur këtë objektiv për gati 47 vjet.

Bombat që kishin rënë deri atëherë synonin të gjithë spektrin e elitës politike iraniane, reformistë, të majtë, ish-presidentë dhe konservatorë.

Sipas kësaj strategjie, qëllimi nuk është ndërtimi i një elite të re politike pas rënies së Republikës Islamike, por dobësimi i përhershëm i Iranit duke e shndërruar në një konfederatë të dobët kantonesh etnike, një qasje që Izraeli është përpjekur ta zbatojë edhe në Siri.

Sipas kësaj qasjeje, shkatërrimi i Iranit si fuqi rajonale është pjesë e një plani më të gjerë që lidhet me idenë e “Izraelit të Madh”.

Pika e dytë për këtë luftë është koha kur po ndodh.

Netanyahu llogarit me të drejtë se Izraeli nuk do të ketë më kurrë një president amerikan aq të manipulueshëm dhe të lehtë për t’u ndikuar sa Trumpi. Asnjë republikan apo demokrat nuk do të jetë aq miqësor me Izraelin sa kanë qenë Trump dhe paraardhësi i tij, Joe Biden. Gjenocidi në Gaza e ka bërë të qartë këtë, shkruan Hearst.

Por mandati i dytë i Trumpit tashmë i ka dhënë Izraelit një çmim shumë më të madh sesa njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit apo aneksimi i Lartësive të Golanit, “dhuratat” e mandatit të tij të parë. Tani Trump i ka dhënë Izraelit bekimin e Uashingtonit për të zgjeruar kufijtë e tij në çdo territor që mund të kontrollojë, qoftë në Liban, Siri, Irak apo Egjipt.

Kjo është ëndrra që sionistët e shumë rrymave e kanë ushqyer për dekada: që një ditë Izraeli të shtrihet nga Nili deri në Eufrat.

Kjo është koha, pra, jo vetëm për të shkatërruar Republikën Islamike dhe për ta copëtuar rrjetin e saj rajonal, por edhe për të përdorur këtë vakuum për të zgjeruar kontrollin e Izraelit në gjithë rajonin.

Irani si fuqi rajonale është pengesa e fundit dhe e vetme për realizimin e ëndrrës së Netanyahut për zgjerimin e kufijve të Izraelit dhe krijimin e një aleance të re ndërkombëtare, të ashtuquajturin “gjashtëkëndësh shtetesh”, me Indinë si krahun lindor dhe Somalilandin si majën jugore, vlerëson Hearst.

Kjo aleancë do të mbështeste pozicionin e Izraelit si hegjemoni ushtarake rajonale, me baza ajrore në të gjithë rajonin. Shtetet e mëdha arabe, mbështetja e të cilave për Izraelin nuk do të ndodhë kurrë pa një shtet palestinez, do të detyroheshin të pranonin një realitet të ri: zvogëlimin e territorit dhe sovranitetit të tyre, siç po ndodh sot në Siri dhe siç mund të ndodhë nesër në Liban.

Izraeli e di se gjenocidi në Gaza e ka shkatërruar imazhin e tij si një projekt fisnik në Perëndim. Lufta kundër Iranit është polica e tij e sigurimit.

Republika Islamike tani po lufton për jetën e saj. Udhëheqja e saj, e cilësuar shpesh si fundamentaliste dhe e pamatur, në realitet ka qenë shumë më tepër e kujdesshme.

Tani ekzistojnë dy skenarë kryesorë për Iranin, sipas Hearst. Ose fushata e bombardimeve amerikano-izraelite do të shkaktojë një kolaps të plotë të komandës dhe kontrollit dhe regjimi do të bjerë, ose regjimi do ta mbajë kontrollin dhe do ta çojë luftën drejt një armëpushimi.

Nëse Irani e vazhdon luftën për një kohë të gjatë, kjo mund të dëmtojë Trumpin politikisht brenda bazës së tij Maga, duke zbuluar se Izraeli e futi atë në një luftë që as mbështetësit e tij dhe as SHBA nuk e donin.

Por nëse Irani dorëzohet, pasojat për rajonin mund të jenë shkatërruese. Një luftë civile në Iran mund të dërgojë miliona refugjatë drejt Perëndimit.

Edhe atëherë lufta e Netanyahut nuk do të përfundonte, vlerëson Hearst. Izraeli po vë bast mbi dobësinë e shteteve arabe për t’u mbrojtur dhe po përpiqet t’i dobësojë ato edhe më shumë.

Vetëm në një rajon të dobësuar Izraeli mund të rishkruajë hartën e Lindjes së Mesme dhe të vendosë një marrëveshje të re të tipit Sykes-Picot.

Dhe atëherë, sipas këtij skenari, mund të jetë vetëm çështje kohe para se Netanyahu të shpallë Turqinë si “Amalekun” e ardhshëm të Izraelit, shkruan gazetari britanik David Hearst. /middleeasteye/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button