Lufta dhe armët në agjendë ndërsa Putin shkon në Korenë e Veriut

Presidenti rus Vladimir Putin është rrugës për në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, ku do të takohet me liderin Kim Jong Un.
Të dy liderët u takuan për herë të fundit në shtator në Vladivostok, por kjo është vizita e parë e Putinit në Phenian që nga viti 2000.
SHBA dhe Seuli kanë akuzuar Korenë e Veriut për furnizimin e Rusisë me artileri dhe pajisje të tjera, me gjasë në këmbim të ushqimit dhe ndihmës ushtarake.
Të dy vendet mohojnë ekzistencën e një marrëveshjeje armësh, por u zotuan vitin e kaluar të forcojnë lidhjet ushtarake.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, Putini është bërë armik për Perëndimin dhe ka kërkuar aleatë diku tjetër.
Pas Koresë së Veriut, Putin do të vizitojë Vietnamin, një aleat prej kohësh ku vendet pritet të diskutojnë çështje të tilla si tregtia.
Putini do të mbërrijë në Korenë e Veriut vetëm disa ditë pasi Ukraina priti një samit paqeje në Zvicër, për të treguar se Kievi ka ende mbështetjen e Perëndimit dhe aleatëve të tij.
Rusia nuk ishte e ftuar në ngjarjen e fundjavës dhe aleati i saj kryesor, Kina, nuk mori pjesë pavarësisht se u ftua. Disa nga rreth 90 vende, duke përfshirë Indinë, Afrikën e Jugut dhe Arabinë Saudite, nuk nënshkruan një dokument që fajësonte Moskën për luftën.



