LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasen për pensionistët

LSDM dhe VMRO-DPMNE janë përplasur për pensionistët. Shkak u bë deklarata e kandidates së VMRO=DPMNE-së për president të shtetit Gordana SIljanovska – Davkova. “Aman nga Mapet Shou dhe nga lozha e garantuar për ata pleq, të cilët në mënyrë cinike vetëm kritikojnë, por nuk bëjnë asgjë”, tha Davkova.
Sipas partisë në pushtet, derisa LSDM-ja po rrit pensionet VMRO-DPMNE dhe Siljanovska ofendojnë të moshuarit.
LSDM-ja thotë se gjatë periudhës së kaluar ka arritur t`i rrit pensionet mesatarisht për 6.400 denarë kurse pensionin minimal për 50%.
“Një sjellje e këtillë ndaj pensionistëve ëstë i pashembullt dhe nënçmues, plotë papërgjegjësi për një politikan, deputet apo kandidat presidencial. Pensionistët nuk guxojnë të nënçmohen. Fatkeqësisht kandidatja presidenciale e opozitës shndërrohet në fytyrë tjetër të VMRO-DPMNE-së. Nuk na duhet repriza e Ivanovit, nuk na duhet që edhe një dekadë të bllokohemi në rrugën drejt Brukselit”, tha Snezhana Kalevska Vançeva e LSDM-së.
Pohimet e këtilla të socialdemokratëve janë quajtur gënjeshtra nga VMRO-DPMNE-ja. Opozita zotohet se qeveria e ardhshme do t`i rrit në mënyrë lineare pensionet për 5.000 denarë.
“Derisa LSDM-ja gënjen dhe manipulon duke menduar se ka dikush që u beson, pensionistët nuk mund që me dinjitet t`i kalojnë ditët e pensionit dhe luftojnë për mbijetesë. Nga këto gënjeshtra të LSDM-së, pensionistët panë vetëm jetë më të keqe dhe varfëri”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Ndërkohë gjatë seancës së sotme të këshillit qendror, Partia e Pensionistëve ka dhënë mbështetje për Stevo Pendarovskin.
Sipas kësaj partie, Pendarovski me sukses ka kryer detyrën e presidentit dhe komandantit suprem të forcave të armatosura, duke shtuar se në historinë më të re, Maqedonia e Veriut nuk ka pasur personalitet më kompetent si kandidat për president.



