Lotaria Shtetërore: Hetuesit hetojnë, të arratisurit në arrati

Me urdhër të Prokurorisë Publike, Policia Financiare po mbledh dokumentacion shtesë për serinë e çështjeve penale të hapura për Lotarinë Shtetërore. Veprime paraprake hetimore janë duke u zhvilluar edhe për prokurime të tjera publike të kryera nën udhëheqjen e mëparshme. Ende nuk ka asnjë gjurmë apo zë të Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Nëse nuk kthehet vullnetarisht, do të gjejmë një mënyrë adekuate për ta kthyer”, deklaroi ministri Pançe Toshkovski më 26 dhjetor të vitit të kaluar më pak se dy javë pasi ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi e kaloi kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe nuk u kthye më në shtëpi.
Nga kjo deklaratë e tij kanë kaluar shtatë muaj, ndërsa Grubi ende nuk është kthyer vullnetarisht në Maqedoni. Të paktën jo fizikisht, edhe pse ai ishte prezent virtualisht në Facebook dhe Instagram më 7 qershor, ku ndau urimet për ditëlindje nga të afërmit dhe miqtë.
Të vetmin informacion lidhur me vendndodhjen e mundshme të Grubit e ndau zëvendëskryeministri Izet Mexhiti – se Grubi, që gjithashtu ndodhet në listën e zezë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, i cili tha se ai nuk ndodhet në Kosovë, por se po fshihet në Shqipëri. Megjithatë, edhe pas gjithë kësaj kohe, askush nuk e ka konfirmuar zyrtarisht dhe institucionalisht pretendimin e Mexhitit. Ndërkohë MPB-ja edhe tetë muaj pas arratisjes së tij, ende nuk e di vendndodhjen e tij të saktë.
“Ministria e Punëve të Brendshme është në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet kompetente të vendeve në të cilat, sipas informacioneve operative, mund të gjendet personi. Në rast të gjetjes, do të vijojnë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme, me qëllim kthimin e tij në vend”, thanë nga ky institucion.
Por, nga MPB-ja nuk u përgjigjën pyetjeve shtesë – nëse eventualisht është kryer analizë teknike dhe operative për ta lokalizuar vendndodhjen nga ku Grubi i ndau urimet në rrjetet sociale. Nga atje nuk dhanë përgjigje as në pyetjen në lidhje me njohuritë e tyre të fundit lidhur me vendndodhjen e mundshme të ish-drejtorit të Llotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, kundër të cilit ka pesë akuza penale për abuzim.
Për dy bashkëpunëtorët në kallëzimin penal për blerjen e aparateve të videollotarisë është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar dhe ata po kërkohen në koordinim me Interpolin dhe forcat policore të vendeve të tjera. Për dallim nga Bajrami, në kalimin e kufirit Maqedoni-Kosovë Grubi u ndihmua nga konsulli i nderit të Kosovës në vend dhe biznesmeni Arsim Papraniku, i cili e transportoi atë përtej kufirit me automjetin e tij diplomatik pikërisht para aksionit policor.
Pasi kthimit në Maqedoninë e Veriut ai u thirr për t’u marrë në pyetje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Por, MPB-ja nuk konstatoi asnjë përgjegjësi për Papranikun.
“Sa i përket personit për të cilin po pyetni, ju informojmë se MPB-ja nuk po zhvillon asnjë procedurë”, thanë nga atje.
Kallëzime penale për kompani online, aparate VLT, qira dhe televizorë dhe softuer i lotarisë
Dhe përderisa Grubi dhe Bajrami janë të lirë, institucionet po shthurin një rrjet kompleks të korrupsionit të kryer përmes shpalljeve, prokurimeve publike dhe zgjidhjeve ligjore.
Deri më tani MPB-ja dhe Drejtoria e Policisë Financiare kanë ngritur pesë kallëzime penale për operacione të paligjshme të Lotarisë Shtetërore gjatë kohës që në krye të saj ishte Përparim Bajrami.
Ato i referohen prokurimit të terminaleve të videollotarisë me vlerë prej mbi tetë milionë euro, lëshimin e paligjshëm të licencave për katër kompani me kapital shtetëror dhe privat për organizimin e bixhozit online, qirasë të paktën dy herë më të lartë për zyrat në Vizbeg në afërsi të Shkupit dhe një tender për prokurimin e televizorëve.
Kallëzimi i fundit penal i MPB-së i ngritur një muaj e gjysmë më parë është kundër gjashtë personave, përfshirë këtu edhe Përparim Bajramin.
Si kryetar i Këshillit Drejtues, ai “e ka zvogëluar periudhën e vlefshmërisë së kontratës për marrjen me qira të softuerit për sistem llotarie në një vit, duke e dyfishuar kështu vlerën e parashikuar të prokurimit dhe ka lidhur kontratë me një person tjetër juridik nga Serbia”. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme dëmi i shkaktuar është 192.000 euro.
Kur bëhet fjalë për tenderët në shoqërinë aksionare Policia Financiare tashmë ka ngritur kallëzime penale kundër Përparim Bajramit dhe pronarit të “Ritron Kopi”, Artan Ajrulli, si dhe ndaj dy drejtorëve të tjerë të Llotarisë Shtetërore.
Аjrulli u arrestua nën dyshimin për manipulim të tenderëve për prokurimin e televizorëve, printerëve, pajisjeve kompjuterike dhe të komunikimit për nevojat e Llotarisë Shtetërore. Gjykata Penale e Shkupit atëkohë e konfirmoi propozimin e Prokurorisë për sekuestrimin e pasaportës së tij dhe detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë.
Nga PThP thonë se janë duke ndërmarrë veprime për këtë lëndë.
“Po sigurohen prova për një hetim të plotë të rastit, pas çka do të urdhërohet edhe një ekspertizë adekuate. Masat janë përcaktuar nga Gjykata, e cila është përgjegjëse për zbatimin e tyre ose për ndryshimet e mundshme gjatë procedurës”, u përgjigjën nga Prokuroria.
Nga Policia Financiare theksojnë se kontrata e lidhur me “Ritron Kopi” nuk është e vetmja në të cilën po punojnë.
“Mund të konfirmojmë se për momentin po kryhen kontrolle dhe po ndërmerren veprime para-hetimore edhe në raport me procedurat e tjera të prokurimit publik të kryera nga Sh.A. Llotaria Shtetërore e Maqedonisë, përveç se për ato për të cilat ne tashmë kemi ngritur kallëzime penale”, thanë nga Drejtoria e Policisë Financiare.
Ky institucion aktualisht po kryen kontrolle shtesë dhe po ndërmerr veprime të tjera sipas urdhrave të prokurorit publik kompetent në lidhje me rastin e marrjes me qira të hapësirave afariste në ish restorantin e dasmave në Vizbeg, kontratë kjo të cilën Qeveria e ndërpreu.
Në pyetjen drejtuar Prokurorisë për atë nëse hetimi krahas për Përparim Bajramin do të zgjerohet edhe për persona dhe kompani të tjera, nga PThP thanë se “nuk janë në gjendje të supozojnë se çfarë do të rezultojë nga kontrollet, por, pas hetimit të plotë të ngjarjes do të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ndaj të gjithë personave për të cilët do të konstatohen dyshime për kryerjen e veprës penale”.
Për rastin më të madh që lidhet me Llotarinë Shtetërore, me vlerë prej mbi 8 milionë euro për blerjen e aparateve të videollotarisë, për të cilin është po vijon procedura hetimore, prokurorët kanë kërkuar kohë shtesë për hetim.
“Duke pasur parasysh se pavarësisht urdhër-arresteve të lëshuara me kërkesë të prokurorisë, të dyshuarit ende nuk janë në dispozicion të organeve të zbatimit të ligjit, prokurorët publikë kanë kërkuar zgjatje të afatit të hetimit. Ndërkohë, është iniciuar një hetim financiar dhe Policisë Financiare i janë dhënë udhëzime shtesë për veprim”, thanë nga PThP-ja.
Pasi shteti e ndërpreu kontratën me “Hej dooel” për qira të hapësirës afariste, qindra pajisje shtëpiake, blerja e të cilave është objekt hetimi, u transportuan me kamionë nga ish-restoranti në Vizbeg në një depo private për të cilën shoqëria aksionare paguan qira.
Ndryshe, më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.