Londër, mijëra protestues në Marshin Kombëtar për Palestinën

Mijëra protestues janë tubuar në Londrën qendrore në Marshin Kombëtar për Palestinën, duke demonstruar në solidaritet me palestinezët në mes të dhunës së vazhdueshme izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor, raporton Anadolu.
Protuestuesit valëvitnin flamuj palestinezë dhe brohoritnin parrulla që dënonin sulmet gjenocidale të Izraelit në Gaza.
Ndër pankartat e mbajtura nga demonstruesit ishin edhe mesazhe të tilla si “Pasardhësit e të mbijetuarve të Holokaustit kundër gjenocidit të Gazës”, “Ndaloni gjenocidin në Gaza”, “Palestina e lirë” dhe “Ndaloni armatimin e Izraelit”.
Tubimi pati një kundërprotestë nga një grup mbështetësish pro-izraelite, të cilët organizuan një demonstratë në kundërshtim me thirrjet e Marshit Kombëtar për Palestinën për t’i dhënë fund dhunës izraelite dhe mbështetjes ushtarake për Izraelin.
Të paktën 48.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 112 mijë të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale izraelite që nga tetori i vitit 2023. Sulmet, që e lanë enklavën në gërmadha, u ndaluan në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi më 19 janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.