Loja kundër Spanjës “jetë a vdekje” për Shqipërinë
Sonte me fillim nga ora 21:00, kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë ndeshjen vendimtare kundër Spanjës.
Fitorja e mbrëmshme e Hungarisë kundër Skocisë, i ka prishur goxha punë “kuqezinjve” që kualifikimin tutje ta kërkojnë përmes një barazimi.
Tani e vetmja zgjidhje për skuadrën e Sylvinhos, mbetet fitorja, pra tri pikë të plota.
Aktualisht, Shqipëria i ka vetëm një pikë nga dy ndeshjet paraprake, duke e bërë të vështirë kualifikimin përmes vendit të tretë.
Për momentin, kombëtaret që mund ta kërkojnë plasimin tutje për në “EURO 2024”, nga vendi i tretë janë: Austria, Sllovakia, Hungaria dhe Sllovenia.
Shqipëria dje i zhvilloi përgatitjet e fundit për ndeshjen kundër Spanjës.
Në konferenë për media, trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti, u shprehën të bindur për këtë ndeshje.
Të dy thanë se skuadra do të bëjë më të mirën për të kaluar tutje në kampionatin evropian.
Ndeshja Shqipëria – Spanja, luhet në “Merkur Spiel Arena” në Dusseldorf.