Ligji për ndihmë juridike falas – vegël juridike e rëndësishme për qytetarët

Ligji për ndihmë juridike falas – vegël juridike e rëndësishme për qytetarët

Ky ligj është shumë i rëndësishëm pasi u mundëson qytetarëve që janë në pozitë të pa lakmueshme financiare si dhe kategorive tjera të cënueshme të qytetarëve, që të mund të drejtohen pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe pranë zyrave të saj rajonale dhe të kërkojnë ndihmë juridike ose t`u sigurohet avokat i cili do të paguhet nga buxheti i ministrisë.

Shkruan:  Faton Selami

Aktualisht, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndihma juridike falas është rregulluar me Ligjin për ndihmë juridike falas të vitit 2019 i cili ka për qëllim që të mundësohet dhe avancohet e drejta e qytetarëve përkatësisht personave fizikë të cilët kanë vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për qasje në drejtësi dhe në mbrojtje të drejtë gjyqësore.
Ky ligj është shumë i rëndësishëm pasi u mundëson qytetarëve që janë në pozitë të pa lakmueshme financiare si dhe kategorive tjera të cënueshme të qytetarëve, që të mund të drejtohen pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe pranë zyrave të saj rajonale dhe të kërkojnë ndihmë juridike ose t`u sigurohet avokat i cili do të paguhet nga buxheti i ministrisë.
Sipas këtij ligji, ndihma juridike falas mund të jepet si ndihmë juridike parësore (primare) dhe dytësore (sekondare).
Ndihmën juridike parësore e ofrojnë persona të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë ose nga zyrat rajonale të ministrisë, shoqatat e autorizuara si dhe “klinikat jurdike” pranë disa universiteteve. Ndihma juridike primare përbëhet nga ofrimi i këshillës së përgjithshme juridike, informacion të përgjithshëm juridik, ndihmë gjatë përpilimit të kërkesës për ndihmë juridike falas, etj.
Ndihmën juridike dytësore e miraton Ministria e Drejtësisë për personin i cili ka nevojë për ndihmë juridike dytësore nga avokati për punë konkrete juridike dhe kjo ndihmë përbëhet nga përfaqësimi në të gjitha shkallët në procedura gjyqësore civile, në procedura administrative dhe konteste administrative para Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidorë, Fondit për Sigurim Shëndetësor, përfaqësimi në procedurat për shqyrtimin e trashëgimive para noterit, përgatitja dhe përpilimi i parashtresave të debitorëve para përmbaruesit dhe të tjera.
Qytetarët mund të marrin ndihmë juridike falas për konteste pronësore-juridike, marrëdhënie kreditore-debitore, për çështje rreth sigurimit pensional – invalidorë, për përfaqësimin e viktimave të dhunës në familje, për realizimin e ndihmës sociale, për konteste me kompanitë e sigurimeve, etj.
Kushtet e përgjithëshme që duhet të përmbushë personi që kërkon ndihmë juridike falas janë:
⦁ Nëse personi jeton i vetëm, të ardhurat e tij mujore nuk duhet të tejkalojnë shumën e rrogës neto minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
⦁ Nëse personi jeton në familje – të ardhurat totale nuk duhet të jenë më të larta se paga minimale e rritur për 20% nga paga minimale për secilin anëtar individualisht. Me këtë rast si të ardhura nuk konsiderohen kompensimi për ndihmë dhe ndihma e kujdesit nga një person tjetër, shtesat prindërore për fëmijë, shtesat fëmijërore dhe shtesat e posaçme, shtesat për nevoja të posaçme, kompensimi i rrogës për kohë të pjesshme pune, etj.
⦁ Gjithashtu kërkuesi i ndihmës juridike dhe anëtarët e familjes së tij nuk duhet të kenë më shumë se një objekt banimi ose një banesë në ndërtesë.
⦁ Krahas pronës të theksuar, kërkuesi i ndihmës juridike dhe anëtarët e familjes së tij kanë në pronësi  një ose më shumë parcela të lidhura fizikisht,  me  sipërfaqe totale prej 300 m2 në Shkup, 500 m2 në komuna të tjera, përkatësisht një ose më shumë parcela me sipërfaqe totale që nuk tejkalon 5000 m2 në zonat rurale, dhe
⦁ Kërkuesi i ndihmës juridike dhe anëtarët e familjes së tij kanë vetëm një automjet motorik të regjistruar kapaciteti i motorit të cilit nuk është më e madh se 1200 centimetër kub.
Vlen të theksohet se miratimi i ndihmës juridike dytësore pa përcaktimin e gjendjes financiare do të miratohet nëse:
⦁ kërkuesi është i vendosur në familje përkujdesëse, njësi banimi për jetesë të organizuar me mbështetje ose në institucion për mbrojtje sociale, me vendim të Qendrës për Punë Sociale,
⦁ kërkuesi ka nevojë për përfaqësim në procedurën për shqiptimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje para gjykatës kompetente, ose
⦁ kërkuesi, për shkak të fatkeqësisë elementare, të fuqisë madhore ose rrethanave të tjera që janë jashtë kontrollit të tij gjendet në situatë financiare që e pengon atë të sigurojë në mënyrë të pavarur mbrojtjen e të drejtave të tij.

Personi i autorizuar zyrtar në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës për ndihmë juridike dytësore është i detyruar:
⦁ t’i marrë të gjitha të dhënat e nevojshme për përcaktimin nëse kërkuesi i plotëson kushtet për aprovimin e ndihmës juridike dytësore të përcaktuar sipas këtij ligji,
⦁ të shqyrtojë dhe të përcaktojë nëse kërkuesi i plotëson kushtet për miratimin e ndihmës juridike dytësore të përcaktuar në këtë ligj,
⦁ të përgatitë vërtetim me të cilin miratohet ose njoftim me të cilin refuzohet kërkesa për ndihmë juridike dytësore, dhe
⦁ ta organizojë takimin e parë ndërmjet avokatit dhe shfrytëzuesit të ndihmës juridike dytësore dhe datën e mbajtjes ta theksojë në vërtetim.

Personi i autorizuar zyrtar për çdo kërkesë të dorëzuar veçmas për ndihmë juridike dytësore sjell vërtetim me të cilin kërkesa miratohet ose sjell akt – njoftim me të cilin informohet kërkuesi se kërkesa refuzohet.

Me vërtetimin me të cilin miratohet ndihma juridike dytësore autorizohet avokati i emëruar për dhënien e ndihmës juridike dytësore, ndërsa shfrytëzuesi i ndihmës juridike falas lirohen nga:
⦁ taksa gjyqësore dhe harxhime të ndërlidhura me procedurën para gjykatës në pajtim me ligjin,
⦁ harxhimet për ekspertizën dhe
⦁ nga taksa administrative.

Por, ndihma juridike falas nuk i përfshinë harxhimet të cilat shfrytëzuesi i ndihmës juridike falas është i obliguar t’i kompensojë nëse nuk ka sukses në procedurën kontestimore.
Nëse nga kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe dokumentacioni i paraqitur përcaktohet se ka nevojë urgjente për dhënien e ndihmës juridike ose për veprimet për punë juridike konkrete janë përcaktuar afate të shkurtra nga gjykata ose organi tjetër kompetent përkatësisht ligj (që nuk janë më të gjata se 15 ditë nga momenti kur afati fillon të rrjedhë), atëherë në afat prej dy ditëve nga dita e marrjes së kërkesës e njëjta miratohet, duke i marrë parasysh dispozitat e këtij ligji, si dhe deklaratën mbi gjendjen financiare të kërkesës, pa e kontrolluar atë me autoritetet kompetente.
Pas miratimit të vërtetimit për aprovimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, personi i autorizuar zyrtar është i detyruar të shqyrtojë dhe të përcaktojë, në afat prej 15 ditëve, nëse kërkuesi plotëson kushtet për dhënien e ndihmës. Në të kundërtën, nëse personi zyrtar i autorizuar konstaton se kërkuesi nuk i plotëson kushtet për dhënien e ndihmës juridike dytësore, do të do të miratojë aktvendim me të cilin ndërpritet ndihma juridike.
Si çdo ligj tjetër, edhe Ligji për ndihmë juridike falas ka hapësirë për ndryshime dhe plotësime ku do inkorporoheshin rekomandimet e qytetarëve dhe ekspertëve juridik në drejtim të zgjerimit të llojeve të çështjeve juridike për të cilat mund të miratohet ndihma juridike dytësore, si dhe në drejtim të plotësimit të mëtejmë të standardeve të parapara në Konventën evropiane për të drejtat e njeriut.
Por mbi të gjitha, e rëndësishme për qytetarët është që ta dinë se ekziston ky ligj i cili paraqet një vegël e rëndësishme juridike për realizim falas të të drejtave të tyre si dhe ta dinë siç e ceka më lartë, se ku mund të drejtohen dhe cilat kritere duhet ti plotësojnë paraprakisht për shfrytëzimin e ndihmës juridike falas.

 

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button