Liga Arabe nëpërmjet një rezolute dënon pushtimin e territorit sirian nga Izraeli

Liga Arabe lëshoi një rezolutë që dënon pushtimin izraelit të zonës tampon në territorin sirian, duke thënë se vendet arabe i janë drejtuar Këshillit të Sigurimit për të mbajtur një seancë mbi praktikat e Izraelit kundër Sirisë, raporton Anadolu.

Ministria e Jashtme egjiptiane tha në një deklaratë se nën iniciativën e Egjiptit dhe vendeve të tjera arabe, Liga Arabe mbajti një takim në nivel të delegatëve të përhershëm në selinë e saj në Kajro për të hartuar një qëndrim të unifikuar arab ndaj pushtimit të ri izraelit të tokave siriane.

Menjëherë pas rënies së regjimit të Asadit më 8 dhjetor, ushtria izraelite pushtoi zonën tampon në Lartësitë e Golanit të pushtuara të Sirisë, menjëherë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi rënien e marrëveshjes së ndërprerjes së luftimeve të monitoruar nga OKB-ja.

Ushtria izraelite kreu qindra sulme ajrore kundër bazave ushtarake, stacioneve të mbrojtjes ajrore dhe shtabit të inteligjencës, si dhe depove të raketave me rreze të gjatë dhe të shkurtër dhe rezervave të armëve jokonvencionale në të gjithë Sirinë.

Sipas deklaratës egjiptiane, takimi rezultoi në nxjerrjen e një rezolute që dënon inkursionin izraelit në zonën tampon të Sirisë dhe zona të tjera ngjitur, duke përfshirë malin Hermon.

Rezoluta i konsideroi praktikat izraelite si “shkelje të marrëveshjes së ndërprerjes së luftimeve midis Izraelit dhe Sirisë në 1974”.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Liga Arabe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të detyrojë Izraelin t’i përmbahet legjitimitetit ndërkombëtar, veçanërisht rezolutës 497 të OKB-së të vitit 1981, duke kërkuar që Izraeli të tërhiqet nga lartësitë e pushtuara të Golanit.

Që nga viti 1967, Izraeli ka pushtuar Lartësitë e Golanit. Në vitin 1974, u nënshkrua një marrëveshje shkëputjeje midis Izraelit dhe Sirisë, e cila përcaktonte kufijtë e zonës tampon dhe krijoi një zonë të çmilitarizuar.

Diktatori Bashar Asad, i cili sundoi Sirinë me një grusht të hekurt për gati 25 vjet, u arratis në Rusi më 8 dhjetor pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut. Kjo ndodhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham (HTS) pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button