Lideri që farkëtoi pavarësinë e Kosovës
Presidenti Rugova nuk fliste shumë, por fjalët që i thoshte kishin kuptim dhe përcillnin mesazhe shprese dhe admirimi gjithkund, brenda dhe jashtë Kosovës. Në vitin 1998 u laureua nga Parlamenti Europian me Çmimin e madh Saharov dhe, bashkë me Demaçin (1991), hartën e vogël dhe të panjohur të Kosovës deri atëherë e vendosën në mesin e dhjetëra shteteve të mëdha të botës, si mbrojtës të lirisë së mendimit dhe të drejtave universale të njeriut.
Sevdail DEMIRI, Kumanovë
I lindur jetim rrëzë bjeshkëve të Rugovës në dimrin e vonë të vitit 1944, Ibrahimin e ri do ta përcillte gjatë gjithë jetës së tij fati i Kosovës jetime, mbetur jashtë trungut shqiptar që më 1912.
Fundi i regjimit komunist jugosllav në muzgun e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, shkrimtarin dhe studiuesin e kalitur Ibrahim Rugova do ta gjente në rolin e farkëtuesit kryesor të idesë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe, qëllimi për të cilin kishte luftuar me pendë dhe diplomaci për një dekadë presidenti historik Ibrahim Rugova, u arrit falë pushkës së UÇK-së, gjakut të dëshmorëve e martirëve të Kosovës dhe mbështetjes së madhe të miqve ndërkombëtarë!
Ideja e lirisë
Fundi i Luftës së Dytë Botërore e mbyti shpresën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, për të vetëvendosur mbi fatin e tyre. Ky fund ishte fort tragjik, në veçanti pas hyrjes së brigadave të kuqe partizane, të cilat bënë kërdi mbi vendbanimet shqiptare që nga Pollogu, Karadaku, Anamorava e deri në Drenicë, Dukagjin dhe Pazarin e Ri. Në rrethana të tilla shumë të rënda, jo vetëm familjare, por edhe kombëtare, erdhi në jetë lideri i ardhshëm i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Vitet e shkollimit dhe studimeve në Kosovë dhe në Francë, sikurse për gjithë brezin e tij, sado që ishin të ngarkuara me idiotësira ideologjike bolshevike, ato nuk i ndryshuan bindjet e vërteta të Rugovës për të parë të ardhmen e kombit tonë në gjirin e demokracive euro-perëndimore. Prandaj, ai u vu në krye të partisë së parë antikomuniste në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila u shndërrua në një lëvizje të vërtetë gjithëkombëtare, artikuluese e denjë e pavarësisë së Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia pushtuese.
Ardhja e një lideri paqësor dhe e një akademiku të mprehtë në krye të Kosovës postkomuniste ishte zgjidhja më optimale për rrethanat e kohës, mjaft tronditëse, nëpër të cilat po kalonte asokohe Jugosllavia. Politika e tij e moderuar nën regjimin hegjemonist serb dhe ndërkombëtarizimi i argumentuar i çështjes së Kosovës nëpër qendrat vendimmarrëse botërore i dhanë kohë të mjaftueshme popullit të Kosovës (brenda dhe jashtë tij) për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbrojtjen e pragut të shtëpisë edhe me rezistencë të armatosur. Dhe, kjo ndodhi një dekadë më vonë, derisa Serbia pushtuese, në planin e brendshëm, ishte lodhur nga betejat e vështira në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në planin e jashtëm e kishte humbur ndjeshëm mbështetjen e botës perëndimore. Në këtë kuptim, Rugova ia bëri shërbimin më të mirë vendit të tij, mirësi kjo që iu kthye me një besim të palëkundur të shumicës së popullsisë shqiptare të Kosovës deri në fund të jetës së tij, duke e vlerësuar si politikanin më të dashur dhe më të votuar edhe pas rezistencës së armatosur të UÇK-së, e cila ia dha Serbisë goditjen vendimtare më 1999.
Republika e Dardanisë
Puna e gjatë studimore e mendimtarit Ibrahim Rugova, në zyrat e Institutit Albanologjik të Prishtinës, sikurse emra të mëdhenj të kulturës dhe shkencës shqiptare, si Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Fehmi Agani, Rexhep Qosja, Anton Çetta, Sadri Fetiu, Hysen Matoshi e të tjerë, u mishërua në krijimin e një imazhi autokton identitar të Kosovës që lidhej ngushtësisht me trashëgiminë e lashtë ilire-dardane. Për këtë qëllim, akademik Ibrahim Rugova ishte kujdesur që dalëngadalë Kosova të shkëputej nga hegjemonia serbe, jo vetëm në planin politik ose atë territorial. Ai e shihte të arsyeshme që ky shtrat i lashtë dardan (prej ku studimet më të fundit gjenealogjike flasin se në mesjetën e vonshme ishte amëza e gjithë popullsisë së sotme shumëmilionëshe shqiptare) të quhej me emrin Dardania.
Rugova, për shtetin e ri që po lindte, kishte projektuar një flamur të ri me elemente të përbashkëta dardane-shqiptare, ndërsa himnin shtetëror e kishte propozuar që të jetë një nga këngët më të moçme kryengritëse “Kur ka ra kushtrimi”. Me këto elemente shtetformuese, entiteti i ri politik në trojet e lashta ballkanike – Kosova (Dardania), do të identifikohej si shtet i popullit shqiptar si shumicë absolute dhe me të drejta të barabarta të garantuara për të gjitha komunitetet tjera etnike dhe fetare. Ky vizion largpamës i presidentit Rugova, në fazën e parë, ishte në vijë të gjendjes faktike të realitetit historik, politik dhe kulturor të Republikës së Kosovës, si “shtet i pavarur dhe demokratik, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, në partneritet të përhershëm me SHBA-në dhe Bashkimin Europian”.
Bashkimi i Preshevës
Kërkesa e ish-presidentit të mëvonshëm të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vitit 2018, për korrigjimin e kufijve me Serbinë, duke nënkuptuar vetëm bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën, dhe jo shkëmbimin e tyre me një pjese të veriut të Mitrovicës, kishte prodhuar një mal reagimesh brenda dhe jashtë vendit. Edhe pse për këtë ide Thaçi disa herë kishte ripërsëritur se ka për qëllim vetëm korrigjimin e një padrejtësie të madhe historike ndaj shqiptarëve, për të cilën theksonte edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çuditërisht nuk arriti të krijonte as një lloj konsensusi brendashqiptar, e lëre më tepër.
Por, për të dëshmuar se ajo ide dhe ajo kërkesë ishte shumë e drejtë dhe legjitime, ishte diskutuar edhe më herët në mënyrë pragmatike, madje edhe për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, si një garanci për qetësimin e rajonit të trazuar njëherë e përgjithmonë. Në atë vijë ishte edhe deklarata e presidentit Rugova në një intervistë për javoren ”Zëri” në vitin 1994, ku kishte deklaruar: “Edhe ne mund të bëjmë kësi lloj ‘pazari’. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën. Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstituive e federatës jugosllave. Megjithatë, po e përsëris, për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që (të jepet, v.j.) Leposaviqi dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, e ta fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbinë jugore, të banuara me shumicën shqiptare”.
Presidenti Rugova ishte shumë i matur në qëndrimet e tij politike dhe mbështetjen e një opsioni të tillë sigurisht se e kishte parë si një mundësi praktike për shpëtimin e territoreve shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, përmes heqjes së pjesës “kancerogjene” serbe në veriun e Mitrovicës. Ndërsa, koha po e dëshmon se mbetja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nën Serbi është humbje e plotë në mënyrë graduale e një pjese shumë vitale të trungut shqiptar.
Presidenti Rugova, për nga natyra, ishte një politikan liberal-demokrat, por gjithnjë në mbrojtje të të drejtave legjitime të popullit shqiptar dhe kundër politikave hegjemoniste të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj në Kosovë. Gjatë kohës sa udhëhiqte me Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi (1991), në një rast i kishte parashtruar tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare, që nga pavarësia e Kosovës, shtetformësia e shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi e Serbi, e deri te bashkimi kombëtar i të gjithë shqiptarëve në kufijtë e tyre etnik në Ballkan. Përmes artikulimit të qartë të këtyre kërkesave legjitime politike, Rugova ishte shndërruar në një lider politik dhe shpirtëror i të gjithë shqiptarëve jashtë shtetit amë.
Lideri i papërsëritshëm
Presidenti Rugova, përmes politikës së tij të mençur dhe paqësore, kishte arritur të krijonte një autoritet të jashtëzakonshëm brenda komunitetit ndërkombëtar, duke zgjuar interesimin e qarqeve intelektuale, kulturore dhe politike në mbarë botën. Ai nuk fliste shumë, por fjalët që i thoshte kishin kuptim dhe përcillnin mesazhe shprese dhe admirimi gjithkund, brenda dhe jashtë Kosovës.
Atij iu akorduan një sërë mirënjohjesh e çmimesh ndërkombëtare për rolin që kishte në afirmimin e të drejtave demokratike të shumicës absolute të popullsisë shqiptare të Kosovës, të cilat po shkeleshin me të dyja këmbët nga Serbia pushtuese. Në vitin 1998 u laureua nga Parlamenti Europian me Çmimin e madh “Saharov” dhe, bashkë me Demaçin (1991), hartën e vogël dhe të panjohur të Kosovës deri atëherë e vendosën në mesin e dhjetëra shteteve të mëdha të botës, si mbrojtës të lirisë së mendimit dhe të drejtave universale të njeriut.
Arkitekti i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, asnjëherë nuk hoqi dorë nga agjenda e tij politike, pavarësisht presioneve dhe ofendimeve të vazhdueshme që i bëheshin nga ana e rivalëve të tij. Ai kurrë askujt nuk ia kthente me të keq dhe kjo ishte madhështia e një lideri të madh, të cilin nuk mund ta injoronin lehtë as udhëheqësit e luftës së armatosur çlirimtare të Kosovës, të cilët “i hynë në terren” gjatë viteve 1998-1999, por shumica e popullit të Kosovës prapëseprapë e donte Rugovën për lider. Ky popull ia dha mbështetjen e plotë edhe pas mbarimit të luftës, gjë që nuk ka ndodhur gati se kurrë që pala fituese e luftës të mos e marrë në dorë pushtetin pas një triumfi të tillë. Me këtë verdikt plebishitar, populli shqiptar i Kosovës e kishte vlerësuar lart edhe luftën paqësore të presidentit historik Ibrahim Rugova.
Hapësirës shqiptare sot e mot i mungon një lider si doktor Ibrahim Rugova!