Lideri i opozitës izraelite Lapid: Armëpushimi me Iranin, dështim i Netanyahut

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid kritikoi sot ashpër kryeministrin Benjamin Netanyahu për mbështetjen e një armëpushimi të përkohshëm midis SHBA-së dhe Iranit, duke e quajtur atë “dështim politik dhe strategjik”, transmeton Anadolu.
“Nuk kemi parë kurrë një katastrofë të tillë politike në historinë tonë. Izraeli nuk ishte as i pranishëm kur u morën vendime në lidhje me thelbin e sigurisë tonë kombëtare”, tha Lapid në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
“Do të duhen vite për të riparuar dëmin politik dhe strategjik të shkaktuar nga Netanyahu për shkak të arrogancës, neglizhencës dhe mungesës së planifikimit strategjik”, shtoi ai.
Lapid shtoi se ndërsa ushtria dhe publiku përmbushën rolet e tyre, qeveria dështoi të arrinte objektivat e saj.
“Ushtria kreu gjithçka që iu kërkua të bënte dhe populli tregoi rezistencë të jashtëzakonshme, por Netanyahu dështoi politikisht dhe strategjikisht dhe nuk arriti asnjë nga qëllimet që i vuri vetes”, tha ai.
Komentet e tij erdhën pasi zyra e Netanyahut tha se Izraeli mbështet vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të pezulluar sulmet ushtarake kundër Iranit për dy javë.
Megjithatë, zyra e Netanyahut tha se “armëpushimi dyjavor nuk përfshin Libanin”. Trumpi njoftoi të martën se kishte rënë dakord “të pezullonte bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore”.



