Liderët evropianë synojnë mbrojtje të pavarur prej SHBA-së

Liderët evropianë, gjatë Samitit të Komunitetit Politik që u mbajt në Budapest, kanë vënë theksin te forcimi i mbrojtjes së tyre për të qenë të pavarur nga SHBA-ja. Zyrtarët evropianë janë të alarmuar nga rikthimi i Donald Trumpit në SHBA, jo vetëm për shkak të qasjes së tij ndaj NATO-s dhe Ukrainës, por edhe për pasojat ekonomike nga kërcënimi i tij që ta bëjë BE-në “të paguajë çmim të madh” për mospranimin e mjaftueshëm të importeve nga SHBA-ja

Rreth 50 liderë evropianë kanë apeluar për forcim të mbrojtjes së kontinentit në masën që nuk kërkon ndihmë thelbësore nga Washingtoni, teksa i kanë dhënë mirëseardhje të rezervuar presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Lufta në Ukrainë ishte në krye të agjendës së Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest. Shumica e liderëve të Bashkimit Evropian kanë shprehur bindjen se vazhdimi i furnizimit të Ukrainës me armë dhe ndihma financiare për të, janë elemente kyçe për sigurinë e kontinentit.

E nikoqiri i samitit, kryeministri hungarez, Viktor Orban – udhëheqësi nacionalist që prej kohësh është kritikuar se po minon përpjekjet e bllokut për mbështetje të vazhdueshme të Kievit – edhe në këtë samit i ka ftuar liderët t’i rimendojnë angazhimet ndaj Ukrainës, teksa ka shprehur shprehu besimin se me Donald Trumpin president të SHBA-së gjërat do të jenë ndryshe.

“Nëse Donald Trumpi do të kishte fituar në vitin 2020 në Shtetet e Bashkuara, këto dy vite makthi nuk do të kishin ndodhur. Nuk do të kishte pasur luftë. Situata në front është e qartë, ka pasur një disfatë ushtarake. Amerikanët do të tërhiqen nga kjo luftë”, ka theksuar Orban.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka uruar Trumpin për fitoren, por ka thënë se nuk e di se si republikani planifikon t’i japë fund luftës. Trumpi në disa raste ka thënë se do të ndalë luftën me një bisedë të vetme me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Nëse është diçka e shpejtë, kjo do të thotë humbje për Ukrainën. Unë thjesht nuk e kuptoj ende se si mund të kuptohet kjo në ndonjë mënyrë tjetër. Ndoshta ne nuk dimë diçka”, është shprehur presidenti ukrainas.

E nga Kremlini zyrtar është bërë e ditur se presidenti rus Putin është gati të diskutojë për Ukrainën me Trumpin, por kjo nuk do të thotë se është i gatshëm të ndryshojë kërkesat e Moskës. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i ka bërë komentet pasi u pyet nëse gatishmëria e Putinit për të biseduar me presidentin e zgjedhur republikan pasqyron gatishmëri për t’i ndryshuar kërkesat.

“Presidenti nuk ka thënë kurrë se qëllimet e operacionit special ushtarak po ndryshojnë. Përkundrazi, ai ka thënë vazhdimisht se ato mbeten të njëjta”, ka deklaruar Peskov.

Putini më 14 qershor i pati përcaktuar kushtet për t’i dhënë fund luftës: Ukrainës do t’i duhet t’i heqë ambiciet e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe t’i tërheqë të gjitha trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve të pretenduara nga Rusia. Ukraina e pati hedhur poshtë, duke thënë se do të ishte e barabartë me kapitullimin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paraqitur një “plan fitoreje” që përfshin kërkesat për mbështetje shtesë ushtarake nga Perëndimi.

Gjatë të premtes u raportua nga “Axios” se Trumpi ka komunikuar me Zelenskyn përmes telefonit e në bisedë ka qenë i përfshirë edhe njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, që i pati ofruar mbështetje publike Trumpit në fushatë. Sipas raportimit, Zelensky është “qetësuar” nga ajo që i ka thënë Trumpi në telefon. Në raportim thuhet po ashtu se Trumpi i ka garantuar mbështetje Ukrainës.

Reagim për fitoren e Trumpit kanë pasur edhe liderë të shteteve kryesore evropiane. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se liderët evropianë do të bashkëpunojnë me Trumpin pas inaugurimit tek ka shtuar se BE-ja duhet të mbetet e fortë duke pasur parasysh konfliktet në Evropë dhe Lindje të Mesme.

“Do të vazhdojmë të punojmë bashkë me presidentin e ardhshëm amerikan. Dhe pyetja është se si mund të arrihet kjo, ka qenë temë e diskutimit tonë”, ka thënë Scholzi. “Një gjë është shumë e qartë. Bashkë si Bashkim Evropian, si evropianë, duhet të bëjmë gjithçka që nevojitet për sigurinë tonë”.

Lideri i ekonomisë më të madhe evropiane po ashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka kapacitetet t’u rezistojë tarifave të paralajmëruara nga Trumpi, por ka thënë se bisedimet tregtare mes partnerëve gjithmonë janë parësore. Trumpi ka premtuar ngritjen e tarifave për produktet e huaja, siç ka thënë ai, me qëllimin që të forcohet ekonomia amerikane.

Bashkimi Evropian është i gatshëm të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çështjet kyçe, sidomos kur bëhet fjalë për luftërat në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, tash që Trump është zgjedhur president, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. “Jemi të gatshëm t’i forcojmë raportet transatlantike”, ka thënë ai duke shtuar se janë tri çështje në të cilat duhet shtuar bashkëpunimin – “raportet tregtare, siguria dhe sfidat botërore si ndryshimi klimatik”.

E një tjetër reagim në lidhje me fitoren e Trumpit në zgjedhje dhe ndikimin e tij në Evropë e ka shprehur edhe Italia. “Mos pyesni çfarë mund të bëjë SHBA-ja për ju, pyetni çfarë Evropa duhet të bëjë për veten”, ka thënë kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, në Budapest në samitin e liderëve evropianë.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thënë se nëse Evropa do ta kishte të njëjtën rritje si SHBA-ja që në fillim të shekullit, Evropa do të kishte 11 milionë vende pune më shumë. “Nuk mundemi vetëm të reagojmë ndaj zgjedhjeve në SHBA, ne duket të veprojmë”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se luftërat mund të marrin fund lehtësisht nëse Trumpi niset me synimin për zgjidhje. Ai ka thënë se “fillim i mirë” do të ishte ndërprerja e armatosjes së Izraelit.

Zyrtarët evropianë janë të alarmuar nga rikthimi i Donald Trumpit në SHBA, jo vetëm për shkak të qasjes së tij ndaj NATO-s dhe Ukrainës, por edhe për pasojat ekonomike nga kërcënimi i tij që ta bëjë BE-në “të paguajë çmim të madh” për mospranimin e mjaftueshëm të importeve nga SHBA-ja, raportoi Guardian.

Përgjigja e BE-së ndaj vështirësive ekonomike të veta – dhe rizgjedhjes së Trumpit – është ngadalësuar nga fakti se dy fuqitë e saj më të mëdha – Gjermania, koalicioni qeveritar i së cilës u rrëzua, dhe Franca, presidenti i së cilës nuk e ka shumicën parlamentare – janë dobësuar nga krizat politike brenda vendeve të tyre.

Se Evropa pavarësisht se ka ngritur shpenzimet për mbrojtje, vazhdon të mbështetet në SHBA-në, e ka thënë edhe një raport i nxjerrë së fundmi nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike me bazë në Londër. Ky raport ka treguar se anëtaret evropiane të NATO-s kanë rritur për gati 50 për qind shpenzimet për mbrojtje në periudhën 2014-2024. Rritja është vënë në pah sidomos vjetëve të fundit, pasi Rusia e pushtoi Ukrainën. Edhe pse ka thënë se këto shtete tani po prodhojnë shumë më shumë pajisje ushtarake për vete, megjithatë rreth 34 për qind e shpenzimeve shkojnë për pajisjet e prodhuara në SHBA.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button