Liderët e BE-së telefonojnë nga Tirana presidentin Trump

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe disa udhëheqës të lartë evropianë zhvilluan nga Tirana një telefonatë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, më 16 maj, njoftoi udhëheqësi ukrainas në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Zelenskyt, gjatë takimit në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ai kishte një telefonatë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ndërsa bisedës iu bashkuan presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri polak Donald Tusk.
Siç shkruan ai, në këtë telefonatë u diskutua raundi i parë i bisedimeve ruso-ukrainase në Turqi, për të cilat Zelensky thotë se Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë.
“Fola me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, së bashku me presidentin Macron, kancelarin federal Merz, kryeministrat Starmer dhe Tusk. Diskutuam takimin në Stamboll. Ukraina është gati për hapat më të shpejtë të mundshëm në emër të paqes së vërtetë, dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë. Qëndrimi ynë: nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe t’i japin fund vrasjeve, duhet të vendosen sanksione të forta. Presioni mbi Rusinë duhet të vazhdojë derisa ajo të jetë e gatshme t’i japë fund luftës. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”, shkruan Zelensky.