Liderët e BE-së sigurojnë dy miliardë euro për Ballkanin Perëndimor
Suksesi i samitit të Bashkimit Evropian (BE), që u zhvillua të enjten në Bruksel, ku u miratua vendimi për ndihmë prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, është i rëndësishëm edhe për asistencën për zhvillim për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton REL.
Këtë e kanë thënë disa liderë të BE-së pas përfundimit të samitit në Bruksel, duke folur për rebalancin e kornizës shumëvjeçare financiare të BE-së për periudhën 2021-2027.
Liderët e BE-së të enjten miratuan vendimin unanim, duke siguruar edhe pajtimin e Hungarisë që për disa muaj e mbajti të bllokuar vendimin, për të cilin nevojitet pajtim unanim i të gjitha vendeve anëtare. Me këtë vendim ndahen gjithsej 65 miliardë euro për të plotësuar buxhetin e BE-së për katër vjetët e ardhshëm.
Nga këto, 50 miliardë euro do të jenë ndihmë makrofinanciare për Ukrainën, afër 10 miliardë do të jenë për menaxhimin e migracionit ilegal. Por 2 miliardë do të jenë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto do të përfshihen në planin e BE-së për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë plan e kishte prezantuar më herët Komisioni Evropian, por mjetet për të nuk ishin siguruar deri më tash.
Tash duhet edhe pajtimi i Parlamentit Evropian në mënyrë që BE-ja të mund të nisë dhënien e asistencës financiarë për rritje ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Komisioni Evropian ka përmendur paketën e përgjithshme prej 6 miliardë eurosh. Por, nga to, 2 miliardë do të jenë në formën e granteve, ndërsa 4 miliardë do të tërhiqen në formën e kredive të favorshme për të cilat garancitë do t’i japë Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian ka tërhequr vërejtjen se përdorimi i këtyre mjeteve nga vendet e rajonit do të jetë i kushtëzuar me sundimin e ligjit.
Ndërsa, për Kosovën dhe Serbinë do të ketë edhe kushtëzime specifike që kanë të bëjnë me përparimin në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre.
Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian. Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027. Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.