Libri në përplasjet ideologjike të kohës

Motivet për përndjekjen e shumë veprimtarëve shqiptarë pas ngjarjeve të vitit 1981 kanë qenë politike, por në fokus shpesh do të gjenden edhe librat që regjimi i atëhershëm komunist jugosllav i konsideronte si një burim indoktrinimi…

Daut DAUTI, Shkup

Në vitin 1981 isha ushtar në Beograd, kur në maj ne, ushtarëve shqiptarë nga të gjitha kazermat, na çuan në një sallë të madhe në takim “me një shok të lartë të KQ-së”. Ky shoku s’ishte kush tjetër, por hiq më pak se shqiptari në pozitën më të lartë me dekada në federatën e atëhershme, udhëheqësi politik e ushtarak i LNÇ-së në Kosovë dhe atë vit anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë, Fadil Hoxha. Kuptohet, në atë periudhë pas “demonstratave kontrarevolucionare të Kosovës”, i kishte rënë hise t’ua transmetojë të rinjve shqiptarë në ushtri qëndrimet e forumeve më të larta shtetërore lidhur me to, për të mos rënë pre e “indoktrinimit” të tyre.

Është interesant se, në atë takim, bashkëbisedimi me Fadil Hoxhën, që në sytë tanë ishte një legjendë që këndohej dhe nëpër këngë krahas Titos, erdhi në shprehje një lloj shlirësie dhe madje guximi, saqë zëshëm disa ushtarë që morën guximin ta pyesnin, i shtruan edhe dilemat më të mëdha të asaj kohe, si p.sh. sa është e vërtetë që Serbia e ka eksploatuar Kosovën me dekada (teza e njohur e demonstrantëve dhe organizatave ilegale “Trepça punon, Beogradi ndërtohet”/”Trepča radi, Beograd se gradi“) dhe të tjera, ndërsa një ushtar nga Kosova e pyeti edhe për çështjen e librave: “Tash pas këtyre ngjarjeve, çka do të bëhet me librat, a do të lejohen librat nga Shqipëria?”.

Çka do të përgjigjej Fadil Hoxha, se do të ndaloheshin librat? A nuk propagonte LKJ-ja e atëhershme se është sistemi më demokratik në botë?! Kuptohet, nuk mund të thoshte se do të ndalohen librat të vijnë nga Shqipëria. Por, megjithatë, diçka tha që e kishte ndalesën në vete: Gjithçka që s’do të ketë „enverhoxhizëm“, do të lejohet! Pra, letërsia e mirëfilltë nga autorët e Shqipërisë nuk do të ndalohet, kurse ajo që përmban ideologji, „stop“!

Motivi pse do të trajtohej libri si mall i rrezikshëm, qëndronte te teza se ngjarjet e Kosovës janë rezultat e ndikimeve nga Tirana, e jo se ishin një revoltë burimore për pozitën e rëndë të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi. Hidhej faji edhe te profesorët e Shqipërisë të angazhuar në Universitetin e Prishtinës, edhe te udhëheqja komuniste me në krye Enver Hoxhën, edhe te literatura që vinte prej andej. Në atë vit të ngjarjeve të Kosovës nuk ishin bërë as dhjetë vjet të plotë qëkur Shqipëria dhe Jugosllavia kishin relaksuar marrëdhëniet e tyre, gjë kjo që më së miri ishte reflektuar në këmbinin kulturor, pra ishte periudhë kur kishin ardhur pa numër vepra të autorëve të Shqipërisë, por dhe anasjelltas. Ndaj, ajo pyetja shtruar udhëheqësit më të njohur komunist shqiptar të asaj kohe ishte legjitime: a do ta pësonte edhe libri fatin e të përndjekurve që do të pasojë viteve të ardhshme?

Fadil Hoxha pati të drejtë. Ndoshta në vitet kur ai ende kishte ndikim, aq sa mund të kishte në kohën kur ishin nën presion të madh, mund të ketë ndikuar të mos kishte ndalesë zyrtare të librave dhe literaturës tjetër që vinte nga Shqipëria, por, megjithatë, libri do të jetë shpesh një nga „dëshmitë materiale“ për ta akuzuar dikë në përndjekjet masive. Vetëm pse do të ketë qenë nga Shqipëria. Individë ose grupe ilegale që ziheshin viteve të ‘80-ta dhe mbushnin burgjet, shpesh në gjyq u nxirrnin si argument për veprimtarinë e tyre „armiqësore“ edhe vepra të autorëve nga Shqipëria ose edhe të autorëve të përndjekur nga Jugosllavia, siç ishte rasti me librin e ndaluar të Adem Demaçit, „Gjarpinjtë e gjakut“, edhe pse ai asgjë nuk kishte kundër sistemit, por trajtonte temën e hakmarrjes. (Nëse autori ishte shpallur armik i sistemit, atëherë dhe vepra e tij ishte e tillë!). Andaj, edhe e njerëzit e lexonin fshehtas. Çështja shkonte gjer në absurd. Kështu, duke punuar me dosjet e të përndjekurve ideologjikë në Komisionin e Lustrimit, kam hasur edhe shkresa zyrtare të këtilla gjyqësore, ku një grup tetovar, ndër ta më i njohur një ish-deputet, është akuzuar se në shtëpi i është gjetur literaturë me përmbajtje armiqësore të Ismail Kadaresë, Petro Markos, Jakov Xoxës ose Sterjo Spasses! Autorë, veprat e të cilëve ndoshta asaj kohe kanë qenë edhe pjesë e lektyrës shkollore! Spikat rasti i Sterjo Spasses, që shërbimet e Maqedonisë e trajtojnë si autor me orientim armiqësor, edhe pse ai ishte autor me origjinë nga Prespa e Vogël, pra maqedonas, dhe veprat e tij s’kishin asgjë subverzive kundër sistemit të Jugosllavisë, aq më pak kundër Maqedonisë, në veprat e të cilit ishte trajtuar edhe bashkëpunimi i shqiptarëve dhe maqedonasve për çlirim nga Perandoria Osmane!!!

Kështu, letërsia ishte gjetur në përplasjen ideologjike të dy sistemeve komuniste, por, natyrisht, ishte vënë edhe në vëmendjen e regjimit për shkak të aspiratave kombëtare të shqiptarëve përtej ideologjisë. E vërteta është se, megjithatë, kishte një lloj literature që e shfrytëzonin grupet ilegale, e ato ishin librat që këtu nuk kishin mbërritur rrugës zyrtare të këmbimit kulturor. Pra, ishin librat e Enver Hoxhës, sidomos më e preferuara nga grupet marksiste-leniniste, „Titistët“, ku veprimtarët gjenin dy aspektet e veprës: akuzat e rënda ndaj regjimit jugosllav dhe vetë Titos, që ishte një dëshmi ose mbështetje ndaj tezave për padrejtësitë ndaj shqiptarëve, gjë që ishte e vërtetë dhe, e dyta, aspekti ideologjik, ku modeli i sistemit komunist të Shqipërisë propagohej si më i drejti.

Nëse i lëmë anësh veprat e vetë Enver Hoxhës, që për arsye të logjikshme nuk ishin sjellë zyrtarisht nëpër libraritë tona, një numër i madh veprash autorëve të tjerë kishin ushtruar shumë më tepër ndikim, e që kishin ardhur lirshëm. Ishin veprat e autorëve të dëshmuar, si p.sh. krahas „Hasta la vistës“, „Qytetit të fundit“ e tregimeve e novelave tjera të Petro Markos, këtu e kishim edhe romanin tjetër të tij, „Ara në mal“, që glorifikonte socializmin që ndërtohej në Shqipëri. Njësoj edhe me Jakov Xoxën: përskaj romanit të realizmit, „Lumi i vdekur“, e kishim edhe „Jugën e bardhë“, një roman voluminoz që po ashtu jepte tablonë idilike të socializmit shqiptar, të kooperativave, në kohën kur kooperativat në Jugosllavi ishin braktisur që në fillim kur ishte parë joefikasiteti i tyre ekonomik. Në saje të këtyre veprave na ishte shtuar edhe më shumë simpatia: Shqipëria nuk ishte vetëm shteti amë i shqiptarëve, por ishte ideal edhe për një socializëm më të drejtë. E kam përmendur edhe më parë, ndoshta pikërisht në saje te këtyre veprave që i lexonim pa pengesë, edhe një autor i shquar i kohës, Jusuf Gërvalla, ishte adhurues i atij sistemi. Ai i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës (letra është botuar shumë vite pas vrasjes së tij), ku shpërfaqet gjithë lajthitja e një idealisti i cili e denoncon regjimin jugosllav komunist si shkarje nga rruga e marksizëm-leninizmit, e njëkohësisht e lëvdonte modelin shqiptar. Kjo është tipike për kohën e atëhershme, sepse shqiptarët që kishin qenë vazhdimisht nën presionin e aparatit shtetëror gjithë pasluftës, sytë i kishin nga Shqipëria dhe donin të besonin se përkrahja u vinte prej andej dhe se, edhe në kontekst ideologjik, pikërisht atje po jetësohej ideali i shoqërisë pa klasa.

Nëse mund të gjykojmë nga këndvështrimi i sotëm, kuptohet se për vetë shqiptarët disa vepra socrealiste që vinin nga Shqipëria, kishin krijuar iluzione të rrejshme. Deziluzioni do të ndodhë më vonë, kur para kamerave do të dilte ndonjë guximtar që kishte ikur këtej kufirit dhe tregonte për realitetin e katandisur të atëhershëm të Shqipërisë, ndonëse shumëkush nuk i besonte.

Diku në kapërcyell të dy sistemeve, në vjeshtën e vitit 1990, isha në Shqipëri me një delegacion shkrimtarësh dhe, në kthim, e kisha mbushur valixhen plot libra. Në Shqipëri, dy muaj më vonë do të ndodhte lëvizja e dhjetorit që e përmbysi regjimin komunist, e te ne po vinte pluralizmi politik. Në Qafë të Thanës, me inercinë e dyshimeve që ishin bërë të zakonshme për gjithçka që vinte nga Shqipëria, m’i konfiskuan dhjetëra libra. Me të kthyer në Shkup, i trimëruar sigurisht edhe nga shenjat e demokratizimit të shoqërisë, shkova dhe dhashë ankesë në MPB për t’m’i kthyer librat. Këtë episod e kam përshkruar edhe në fejtonin që atë vit u botua në „Flakë të vëllazërimit“, si një paradoks që në Maqedoni ende vazhdonte avazi i trajtimit të librit si diçka armiqësore, plus që në listën e librave që m’i kishin ndaluar, ishin edhe veprat e Ismail Kadaresë, i cili pikërisht atyre ditëve kishte shpallur ekzilin politik në Francë! Pas do kohe, më thirrën të shkoj t’i marr, por vërejta se librat ishin tamam për nga numri, por jo dhe për nga titujt. Sepse, në mesin e librave që m’i kthyen ishin edhe disa me dedikim një gazetari të „Botës së re“ të Prishtinës, e ndonjë titull i imi sigurisht i ishte bashkangjitur ndonjë grumbulli librash të ndonjë tjetri…

Nejse, ky ka qenë fati i librave dhe „lexuesve“ të atyre kohëve përplot ideologji në raportet Jugosllavi-Shqipëri. Për fat të mirë, gjërat ndryshuan dhe me rënien e komunizmit këndej dhe andej kufirit, gjithçka ndryshoi në të mirë të letërsisë. Nuk kishte më këmbim vetëm me numër të kufizuar autorësh. Erdhi te një njohje dhe përafrim më i madh ose, më saktë, te një integrim shpirtëror pa kufijtë e mëparshëm ideologjikë e administrativë.

Në planin letrar doemos do të vijë edhe te këmbimi i përvojave letrare, shkëputja masive nga modeli i socrealizmit te krijuesit e Shqipërisë, kurse hapja edhe ndaj botës do të rezultojë edhe me përqafimin e modeleve të reja krijuese, të cilat shumë më herët se në Shqipëri kishin depërtuar te krijuesit shqiptarë në ish-Jugosllavi.

Në planin tematik, gjithsesi se do të shpërthente me një varg veprash që trajtonin problemet e diktaturës, të burgjeve e internimeve që nuk i njihte letërsia socrealiste, kurse këndej shtetit amë krijuesit do t’u rrekeshin temave që i diktoi historia më e re, ajo e ngjarjeve të luftës dhe pasluftës së Kosovës me gjithë koloritin social, psikologjik e estetik.

Ajo që në letërsinë bashkëkohore është hendikep i madh, është tregu dekurajues. Duke përjashtuar autorë si Kadareja ose ndonjë shkëlqim rasti në ndonjë panair libri me ndonjë vepër „trendi“ (Blendi Fevziu, Ben Blushi apo Edi Rama vetë…), autorët shqiptarë nuk mund të lëvdohen se krijimtaria e tyre u siguron mirëqenie, siç mund të jetë në shtete me treg më të madh. Në anën tjetër, nuk kemi modelin që siguron statusin që dikur gëzonin disa autorë në Shqipëri, „shkrimtar i lirë“. Pjesa dërmuese kënaqen me ndonjë honorar modest, që u vjen nga Ministria e Kulturës, si në Maqedoni për shembull, kurse gjersa librat e tyre zënë pluhur në libraritë. Shprehia e leximit në rënie edhe më shumë i demotivon autorët, kurse rreshtimi në kushtet e reja tekniko-teknologjike të epokës së informatikës nuk është se ndryshon gjë në pikëpamje materiale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button