Liban, numri i të vrarëve në sulmet e fundit izraelite rritet në 28
Numri i të vrarëve nga sulmet ajrore izraelite ndaj qytetit libanez Baalbek dhe fshatrave përreth është rritur në 28, transmeton Anadolu.
Siç njofton agjencia shtetërore e lajmeve NNA dhe Ministria e Shëndetësisë e Libanit, në sulmet izraelite që filluan dje janë plagosur edhe 23 persona të tjerë.
Sulmet filluan kur u sulmua një shtëpi në fshatin Buday, duke vrarë një burrë, gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre.
Forcat izraelite filluan sulme të mëtejshme ajrore në zonat e banuara, veçanërisht ndaj qytezës Makneh, ku gjashtë anëtarë të një familjeje të vetme u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën.
Sulmet ajrore goditën gjithashtu hyrjen jugore të qytetit Baalbek, duke shkatërruar një shtëpi dhe duke vrarë një grua e duke plagosur pesë të tjerë.
Në një sulm tjetër ndaj fshatit Douris u shkaktuan dëme të mëdha në shtëpi, biznese dhe infrastrukturë publike, ndërsa tre persona pësuan lëndime të lehta.
Rreth 12 civilë u vranë në një sulm që shënjestroi një shtëpi në fshatin Amhaz, në Libanin lindor.
Dy persona të tjerë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën pasi një sulm ajror goditi një shtëpi në fshatin Taraya në Baalbek.
Tre persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm ajror që synonte qytezën Qmatiyeh.
Në përgjithësi, numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Liban që nga tetori i kaluar është rreth 2.900, me 13 mijë të tjerë të plagosur. Lufta ndërkufitare midis forcave izraelite dhe Hezbollahut filloi pas inkursionit të Hamasit më 7 tetor 2023.