Lëvizja Besa: Qeveria po e fundos “Titanikun” për të shpëtuar krimin

Udhëheqësi i sektorit për punë juridike në Lëvizjen Besa, Fatmir Sabriu ka akuzuar Qeverinë për keqpërdorim të flamurit evropian në ndryshimin e Kodit Pendal duke mundësuar kështu vjetërimin e lëndës “Titaniku” për manipulimet zgjedhore të ish pushtetit të VMRO DPMNE-së.
“Titanik 2 po shpëton nga fundosja! Edhe një lëndë penale po vjetërsohet, edhe për një vepër penale lirohet nga aktakuza dhe ndjekja penale Sasho Mijallkov e gjithë kjo falë ndryshimeve të Kodit Penal që pushteti aktual i udhëhequr nga LSDM dhe BDI i bënë duke keqpërdorur flamurin evropian kinse po bëjnë harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me direktivat e BE-së. Paralajmërimet e Lëvizjes BESA dhe opozitës shqiptare çdo ditë e më shumë vetëm se vërtetohen. Atëher kur ne thonim se ndryshimet e KODIT PENAL bëhen me qëllim amnestimin dhe vjetërsimin e veprave penale të kriminelëve të cilët keqpërdoren pronën publike, manipuluan me vullnetin e qytetarit dhe përvetësuan çdo gjë çka i takonte qytetarit, përfaqësues të pushtetit po tentonin të na mbushin mendjen se ndryshimi i kodit penal bëhet me qëllim të harmonizimit të tij me direktivat dhe legjislacionin e Bashkimit Europian. Se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtet flet edhe vetë raporti i Komisonit Europian dhe përfaqësues të BE-së të cilët në mënyrë të qartë deklaruan se me miratimin e ndryshimeve të kodit penal është keqpërdorur flamuri evropian”, deklaroi Sabriu.
Sipas tij, me këto veprime pushteti po e shpëton krimin dhe korrupsionin, edhe pse kishin ardhur në pushtet me parulla për luftimin e këtyre fenomeneve.
“Pas goditjes që mori kjo qeveri nga Komisioni Evropian e cila me tone të ashpra ka reaguar ndaj keqpërdorimit të flamurit Evropian, do të pasojë goditja nga qytetarët të cilët me votën e tyre do ta dënojnë keq-qeverisjen e këtij pushteti dhe do të kërkojnë përgjegjësi. Nga frika e humbjes së pushtetit kjo qeveri për çdo ditë në emër të flamurit të BE-së, po liron nga akuzat zyrtarët të cilët kanë keqpërdorur paratë e taksapaguesve, duke dëshmuar se ata nuk punojnë për integrimin e vendit në BE, por po punojnë për të shpëtuar veten dhe krimin tyre.
Vlersojmë se vendit i duhen sa më parë dhe sa më shpejt Zgjedhje me qëllim të largimit të kësaj kaste të korruptuar politike”, ka deklaruar Sabriu.



