LEN: BDI i detyron shqiptarët t’i marrin pasaportat në gjuhën maqedone!

Lidhja Evropiane për Ndryshim akuzon se shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u pamundësohet të kenë pasaportë në gjuhën shqipe. Në një konferencë për media, Saranda Imeri nga LEN tha se kjo ndodhë në situatë kur pushteti mburret me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Përkundër pritjeve të gjata shumë ditore, maltretimeve që ju bëhen prindërve tanë, pleqve, grave shtatëzëna të sëmurve përgjigja në fund të ditës tek sporteli është – NUK KA PASAPORTË NË GJUHËN SHQIPE. Kjo nuk është ironi por është tragjedi. Pra të nderuar qytetarë nxjerrja e pasaportave të reja është bërë një makth i vërtetë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. I gjithë ky kaos ka një emërues: paaftësinë e këtij pushteti për ta menaxhuar këtë proces me, aq më tepër kur dihet se afati i nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit e identifikimit skadon më 12 shkurt. Ky pushtet i korruptuar po na kthen prap në kohën e komunizmit kur shqiptarëve u mohohej secila e drejtë”, deklaroi Saranda Imeri nga LEN.
Fatkeqësisht qytetarët shqiptarë që duhet patjetër të udhëtojnë jashtë shtetit janë të detyruar që të marrin pasaportën në gjuhën maqedonase.
Imeri dyshon se kjo po bëhet në funksion të blerjes së votave për zgjedhje.
“Këto radhë të gjata nuk janë të rastësishme, kjo bëhet që qytetari shqiptarë të ketë nevojë të thërrasë dikë për të intervenuar e në këtë mënyrë pushteti ta kushtëzojë për një votë më shumë, e kështu po stimulohet korrupsioni i cili edhe ashtu po lulzon në çdo pore të jetës në shtetin tonë. Lidhja Europiane për Ndryshim shpreh indinjatën e thellë nga ky qëndrim qyqar i pushtetit në ikje. Ne kërkojmë urgjentisht të merren masa dhe të ndalojë poshtrimi i gjithë qytetarëve të vendit e sidomos shqiptarëve”, shtoi Saranda Imeri.
Lidhja Europiane për Ndryshim propozon poashtu që MPB në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë së Veriut të mundesojë që të gjitha dokumentet e identifikimit qytetarëve t’ju dorezohen përmes postës në shtëpi.



