Lando Norris shpallet kampion bote në Formula 1 për herë të parë

Lando Norris ka shkruar historinë e karrierës së tij duke u shpallur kampion bote në Formula 1 për herë të parë, pasi u rendit i treti në Çmimin e Madh të Abu Dabit. 26-vjeçari bëhet britaniku i 11-të që fiton titullin botëror dhe piloti i parë i McLaren që e arrin këtë sukses pas Lewis Hamilton në vitin 2008.

Me këtë rezultat, Norris i jep fund sundimit katërvjeçar të Max Verstappen, i cili dominoi garën finale dhe e fitoi atë nga pozita e parë. Megjithatë, fitorja e holandezit nuk mjaftoi: për vetëm dy pikë ai nuk arriti ta rrëmbente sërish titullin në një rikthim spektakolar të fundit të sezonit.

Oscar Piastri, piloti tjetër i McLaren dhe pretendent për titull, u klasifikua i dyti pasi e kaloi Norris-in në xhiron e parë, por vendi i tretë ishte gjithsesi i mjaftueshëm për britanikun, pavarësisht skenarit të rivalëve të tij.

Menjëherë pas kalimit të vijës së finishit, Norris u emocionua në komunikimin me skuadrën: “Faleminderit djem, oh Zot i madh. Ma keni realizuar ëndrrën, ju dua shumë. Faleminderit për gjithçka. Ju dua nënë, ju dua baba… Nuk po qaj!” — u dëgjua të thoshte mes emocioneve.

Triumfi në Abu Dabi vulos sezonin më të suksesshëm të karrierës së tij dhe një kapitull të ri për McLaren në historinë e Formula 1.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button