Lamtumirë AKI: ASH e Selës largohet nga Aleanca Kombëtare për Integrim

Kryesia e Aleancës për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadi Sela solli vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend edhe vendimin për veprim si grup i pavarur.
Periudhën në vijim, strukturat dhe eksponentët e partisë do të fillojnë me takime jo vetëm të anëtarëve të partisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, aktorëve qytetar e politik dhe të çdo individi ose organizimi për të forcuar radhët tona dhe për të zhvilluar betejën tonë politike në këto momente shumë të ndjeshme politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela ka dalë me një komunikatë pas mbledhjes së kryesisë, ku njofton për vendimin unanim të strukturave të saj për të vepruar si subjekt autonom dhe për të formuar grup të pavarur parlamentar.
Në njoftim theksohet se takimi ishte i fokusuar në “situatën aktuale politike, procesin dhe epilogun e zgjedhjeve lokale, si dhe hapat e mëtejshëm të subjektit”. ASH shprehet e pakënaqur me rezultatin në garën për kryetarë komunash, duke akuzuar për ingerenca të forta nga pushteti qendror.
“Në zgjedhjet e fundit lokale, koalicioni me të cilin garuam doli fitues në nivel kombëtar… por jemi të pakënaqur nga epilogu në garën për kryetarë komunash ku u përballëm me një inxhinjering të fuqishëm shtetëror”, thuhet në komunikatë. Më tej, ASH akuzon disa subjekte shqiptare se “bashkëvepruan me partitë maqedonase nga të gjitha kampet, me të vetmin qëllim, realizimin e platformës së VMRO-së për defaktorizimin e shqiptarëve në vend”.
Sipas tyre, pasojat i kanë ndierë drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë: “Më shumë se ne si subjekte humbën vetë shqiptarët, pasi pas pushtetit qëndror, tani shqiptarët u degraduan edhe në nivel të pushtetit lokal”.
Pavarësisht kësaj, Aleanca për Shqiptarët thotë se mbetet e palëkundur në angazhimin e saj politik:
“ASH mbetet e vendosur në mbrojtjen e kauzës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut… rritja dhe forcimi i angazhimit politik mbetet objektiv i yni”.
Kryesia e partisë ka marrë vendim që formacioni të veprojë në mënyrë të pavarur:
“Anëtarët e Kryesisë në mënyrë unanime sollën vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët”, duke paralajmëruar se “ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend vendimin për veprim si grup i pavarur”.
ASH thekson gjithashtu se do të ruajë koordinimin me opozitën shqiptare:
“Mbetemi zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve, duke ruajtur komunikimin me subjektet opozitare shqiptare”.
Në komunikatë përmenden edhe prioritetet politike të subjektit:
“Kauza kombëtare, barazia e shqiptarëve në shtet dhe Kushtetutë, si dhe sanimi i dëmeve që ka shkaktuar Qeveria aktuale, mbeten përcaktimi ynë parësor”.
Në fund, ASH paralajmëron një cikël të ri takimesh në terren:
“Strukturat dhe eksponentët e partisë do të fillojnë takime jo vetëm me anëtarët, por edhe me të gjithë qytetarët shqiptarë… për të forcuar radhët tona dhe për të zhvilluar betejën politike në këto momente shumë të ndjeshme”.



