Kuvendi i votoi ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, të zgjedhurit ose të emëruarit do të mund të punojnë deri 67 vjet
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/kuvendi-rmv-1024x682-1-780x470.webp)
Kuvendi sot miratoi shumë propozime të ligjeve për ndryshime dhe plotësime siç janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhënie pune, me procedurë të shkurtër, transmeton MIA.
Me ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, personat e zgjedhur ose të emëruar nga organe kompetente mund të vazhdojnë ta kryejnë funksionin e tyre edhe pas përmbushjes së kushteve për pensionin e pleqërisë, por më së shumti deri në 67 vjet.
Sipas propozuesve, deputetëve të VMRO-DPMNE-së, me ndryshimet pritet krijimi i mundësisë për tejkalim të shpejtë dhe me kohë të problemit me deficitin e gjykatësve dhe prokurorëve publikë dhe në mënyrë konsekuente me këtë përmirësimin e efikasitetit të procedurave gjyqësore, si dhe qasjes në drejtësi për qytetarët. Për opozitën, propozimi është antikushtetues dhe në kundërshtim me parimin e barazisë.
Ndryshe, Ministria e mëparshme e Punës dhe Politikës Sociale në vitin 2021 e ka hartuar Projektligjin e ri për marrëdhënie pune, po ka ngecur për pesë vite, ndërsa nuk ka asnjë njoftim se deri ku është procesi. Me të, ndër të tjera, sigurohet edhe pushimi i lindjes për gjithsej 13 muaj, nga të cilët 9 për nënën dhe 4 për babanë.
Ligji ishte dashur të hynte në fuqi në vitin 2022, por deri më tani, përveç njoftimeve për dëgjesa publike, asgjë tjetër nuk është publikuar.