Kuvajt, 2 zjarrfikës të vrarë në sulmin në aeroportin ndërkombëtar

Shërbimi i Zjarrfikësve të Kuvajtit njoftoi sot se dy nga oficerët e tij humbën jetën “ndërsa kryenin detyrat e tyre”, sipas një postimi në X.
Nuk dha detaje rreth rrethanave të vdekjes së tyre, por Kuvajti ka qenë duke kapur dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani pas sulmeve të SHBA-së dhe Iranit ndaj Republikës Islamike.
“Mbrojtja ajrore e Kuvajtit aktualisht po i përgjigjet sulmeve të armikut me raketa dhe dronë”, kishte njoftuar më parë ushtria kuvajtiane nëpërmjet X, duke paralajmëruar për shpërthime të mundshme nga përgjimet e raketave.
Më herët gjatë natës, Ministria e Mbrojtjes raportoi një valë të re sulmesh, duke denoncuar një operacion për të “shënjestruar drejtpërdrejt një strukturë jetësore” kur “rezervuarët e karburantit në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit u sulmuan nga dronë”.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Kuvajtit njoftoi më vonë se një zjarr që kishte shpërthyer në aeroport ishte vënë nën kontroll, pa “lëndime serioze”.
Ministria e Brendshme e Kuvajtit njoftoi sot herët vdekjen e dy rojeve kufitare, pa specifikuar shkakun e vdekjes së tyre ose nëse ky zhvillim lidhet me luftën.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Yasser Mohammed Al-Budaywi, dënoi në një deklaratë sot “shënjestrimin e instalimeve jetësore dhe infrastrukturës civile” nga Irani, duke folur për një “përshkallëzim të rrezikshëm që do të rrezikonte sigurinë dhe stabilitetin” e këtyre vendeve.



